Mickoski u takua me kryeministrin e Renanisë Veriore-Vestfalisë, paralajmërohet thellimi i bashkëpunimit

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 nëntor, Zhurnal.mk – Thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe tërheqja e investimeve të reja gjermane në Maqedoni ishin temat kryesore të takimit të kryeministrit Hristijan Mickoski me kryeministrin e landit gjerman të Renanisë Veriore-Vestfalisë, Hendrik Wüst.

Mickoski, i cili po qëndron për vizitë pune në Gjermani, përmes një njoftimi në rrjetet sociale informoi se gjatë takimit kanë biseduar për bashkëpunimin e deritanishëm, mbështetjen dhe mundësitë për avancimin e mëtejshëm të tij, me theks të veçantë në ekonomi dhe investime.

Në bisedime morën pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, si dhe ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska.

Si shembuj të pranisë së suksesshme të kapitalit gjerman në vend, Mickoski përmendi kompanitë “Kostal”, “Kromberg & Schubert”, “WIK” dhe “Gerresheimer”, duke vlerësuar se veprimtaria e tyre paraqet bazë të mirë për tërheqjen e investitorëve të rinj nga Renania Veriore-Vestfalia.

Në takim u diskutua edhe për zbatimin e Deklaratës së Përbashkët të Synimeve për Bashkëpunim, e cila përfshin disa fusha, mes tyre ekonominë, investimet, arsimin, kulturën dhe shëndetësinë, si dhe mbështetjen për integrimin evropian të Maqedonisë.

Mickoski zbuloi gjithashtu se kryeministri Wüst ka shprehur gatishmëri për të vizituar Maqedoninë, gjë që, sipas tij, do të jetë një mundësi shtesë për thellimin e partneritetit dhe hapjen e perspektivave të reja të bashkëpunimit.

“Vazhdojmë të ndërtojmë partneritete të forta, të tërheqim investime të reja dhe të hapim dyert për zhvillim ekonomik dhe mundësi të reja për shtetin tonë”, porositi kryeministri.

artikuj të ndërlidhura