Shkup, 3 nëntor, Zhurnal.mk – Sot, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, zhvilloi një takim lamtumirës me ambasadorin Kilian Wahl, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup.
Gashi falënderoi për bashkëpunimin e deritanishëm dhe kontributin personal të ambasadorit në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Misionit të OSBE-së në Shkup. Ai theksoi se OSBE-ja, përmes pranisë së saj shumëvjeçare në Maqedoninë e Veriut, është një partner i rëndësishëm dhe konstruktiv i institucioneve në procesin e forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe shoqërisë inkluzive.
Kryetari theksoi se me mbështetjen dhe ndihmën e OSBE-së janë forcuar pavarësia parlamentare, funksioni mbikëqyrës, si dhe roli demokratik i Kuvendit.
Ambasadori Kilian Wahl nënvizoi se është e rëndësishme të vazhdohet me forcimin e mëtejmë të rolit të Kuvendit si institucion qendror demokratik, veçanërisht në raport me kontrollin dhe mbikëqyrjen e pushtetit ekzekutiv, transparencën e institucioneve, llogaridhënien dhe rritjen e besimit të qytetarëve në proceset demokratike.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se inkluziviteti, barazia dhe respektimi i të drejtave të të gjitha komuniteteve mbeten me rëndësi të veçantë për dialogun politik dhe ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve të ndryshme, ndërsa përvoja dhe mbështetja e OSBE-së në këtë fushë janë veçanërisht të vlefshme.
Në fund, kryetari theksoi se ambasadori Wahl është njohës i shkëlqyer i rrethanave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe në rajon, se është mik i dëshmuar i vendit tonë dhe se edhe në të ardhmen mund të llogaritet në mbështetjen dhe bashkëpunimin e tij, varësisht nga detyrat e tij të reja.
