Maqedonia ngec në digjitalizim, shumë larg mesatares evropiane

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 nëntor, Zhurnal.mk – Maqedonia po përballet me sfida serioze në zhvillimin e e- tregtisë, duke përfshirë nivelin e ulët të aftësive digjitale, ekonominë e lartë gri, mungesën e besimit në blerjet onlajn dhe dominimin e pagesave me para në dorë. Kryetarja e Asociacionit të e-tregtisë në Maqedoni, Nina Angellovska ka thënë se rajoni duhet të punojë paralelisht për të tejkaluar dobësitë dhe për të ndjekur trendet e reja teknologjike.

“Ndërsa bota flet për agjentë të inteligjencës artificiale, hiperpersonalizim dhe tregti elektronike të automatizuar, ne në rajon ende përballemi me disa sfida themelore. Për shembull, ende kemi një nivel të ulët të aftësive digjitale prej rreth 31 për qind krahasuar me 64 për qind në Bashkimin Evropian. Sidomos në aftësitë e avancuara digjitale, përqindja është edhe më e ulët. Maqedonia është në nivelin më të ulët në rajon, me vetëm shtatë për qind. Përveç kësaj, kemi një nivel të lartë të ekonomisë gri, besim të pamjaftueshëm në blerjet onlajn për të cilat duhet të punojmë, si dhe dominimin e pagesave me para në dorë në tregti”, ka thënë Angellovska para fillimit të edicionit të sotëm të 9-të të Konferencës rajonale për e-tregtinë.

Angellovska thotë se zhvillimi i tregtisë elektronike nuk mund të presë që problemet ekzistuese të tejkalohen plotësisht, por kërkon investime të njëkohshme në aftësitë digjitale, besimin e konsumatorëve dhe zbatimin e teknologjive të reja. “Nuk mund të presim që së pari të zgjidhim të gjitha problemet themelore dhe pastaj të merremi me të ardhmen”, tha Angellovska.

Të dhënat nga Asociaconi i e-tregtisë tregojnë se pagesat me para në dorë ende dominojnë dhe se në përgjithësi më shumë se 50 për qind e transaksioneve janë në favor të tregtarëve vendas, gjë që sipas Angellovskës është një tregues pozitiv. Megjithatë, me rritjen e platformave globale, po rritet edhe pjesëmarrja e tregtarëve të huaj, pra numri dhe vlera e transaksioneve me karta vendase jashtë vendit. Sipas të dhënave të fundit nga Banka Popullore, vlera totale e transaksioneve elektronike të realizuara në gjysmën e parë të vitit është rritur për 14 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Asociacioni i e-tregtisë ka kryer një analizë të pagesave me para në dorë kundrejt pagesave jo-cash në tregtinë elektronike me qëllim identifikimin e mundësive për përshpejtimin e zhvillimit të tregtisë jo-cash. Gjetjet kryesore nga analiza do të prezantohen në konferencën e sotme e cila pritet të tërheqë më shumë se 900 pjesëmarrës nga 12 vende, përfshirë kompani globale si Google, LinkedIn, Tesla dhe Amazon.

Sipas ministrit të Transformimit digjital, Stefan Andonovski, ekzistojnë parakushte të mira për zhvillimin e e-tregtisë duke pasur parasysh se blerësit janë gjithnjë e më të pranishëm në internet, ndërsa 97 për qind e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme kanë qasje në internet. Sipas tij, hapi i radhës është shfrytëzimi i këtij potenciali përmes zhvillimit të e-tregtisë, digjitalizimit të pagesave dhe promovimit të aftësive digjitale. Ai theksoi se kjo përvojë është nxitje për të zbatuar nisma të ngjashme në qytete dhe rajone të tjera në bashkëpunim me bankat, Visa dhe partnerë të tjerë.

artikuj të ndërlidhura