Toshkovski në promovimin e Strategjisë Kombëtare: Është ulur ndjeshëm numri i viktimave në trafik

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në promovimin e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor 2026-2030, duke theksuar se mbrojtja e jetës njerëzore duhet të jetë prioriteti më i lartë i institucioneve dhe i gjithë shoqërisë.

Në fjalën e tij, ministri theksoi se gjatë 35 viteve të fundit në rrugët e Maqedonisë mesatarisht kanë humbur jetën rreth 150 persona në vit, gjë që e konfirmon nevojën për një qasje sistematike dhe aktivitete të vazhdueshme për përmirësimin e sigurisë në komunikacion.

“Kur flasim për sigurinë në përgjithësi, por edhe kur flasim për sigurinë në komunikacion, veçanërisht gjatë 35 viteve të fundit, vërtet nuk mund të themi se kemi rezultate të mira. Mesatarja e jetëve të humbura njerëzore në 35 vitet e fundit është diku rreth 150 në vit në Maqedoni”, theksoi Toshkovski.

Ministri prezantoi edhe të dhënat më të fundit, sipas të cilave në dhjetë muajt e parë të vitit 2026 në aksidente trafiku kanë humbur jetën 84 persona, kundrejt 117 në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, që paraqet 33 jetë njerëzore më pak të humbura. Ai theksoi se bëhet fjalë për një përmirësim të konsiderueshëm të gjendjes, veçanërisht duke pasur parasysh se edhe në vitet me qarkullim dukshëm më të ulët, si 2001 dhe 2021, numri i viktimave ka qenë më i lartë.

Mirënjohje të veçantë Toshkovski u shprehu qytetarëve të Maqedonisë, duke theksuar se sjellja e tyre më e ndërgjegjshme në komunikacion, së bashku me aktivitetet e institucioneve, fushatat parandaluese dhe mbështetjen nga kompanitë me përgjegjësi shoqërore dhe organizatat civile, kanë kontribuar në uljen e numrit të aksidenteve, të të lënduarve dhe të viktimave.

“Dua ta shfrytëzoj këtë ditë, këtë moment, që edhe një herë t’i falënderoj qytetarët e Maqedonisë, para së gjithash sepse ata janë ata që kontribuan më së shumti në uljen e numrit të viktimave në Maqedoni. Ata janë ata që vendosën të drejtojnë automjetet dhe të jenë pjesëmarrës në komunikacion më me përgjegjësi se më parë”, porositi ministri.

Duke folur për Strategjinë e re Kombëtare, Toshkovski theksoi se ajo vendos një qëllim të qartë: deri në vitin 2030 numri i personave të vdekur në aksidente trafiku të ulet për 50 për qind krahasuar me vitin 2024. Strategjia mbështetet në parimin “Çdo jetë ka rëndësi” dhe parasheh veprim të përbashkët të institucioneve dhe shoqërisë përmes parandalimit, edukimit, përmirësimit të kulturës së komunikacionit dhe zbatimit të teknologjive moderne.

“Njeriu gjithmonë mund të gabojë gjatë drejtimit të një automjeti, por shteti është ai që duhet të bëjë gjithçka për ta ulur numrin e viktimave në komunikacion, për ta ulur numrin e të lënduarve në komunikacion dhe të bëjë gjithçka që të veprojë maksimalisht në mënyrë parandaluese për përmirësimin e komunikacionit”, theksoi Toshkovski.

Ministri informoi gjithashtu se përpjekjet e Maqedonisë për avancimin e sigurisë në komunikacion po marrin njohje ndërkombëtare, me ç’rast Ministria e Punëve të Brendshme është ndër pesë institucionet e përzgjedhura për një çmim të mundshëm në samitin prestigjioz policor botëror në Dubai, së bashku me shërbime policore nga vende si Singapori dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në fund, Toshkovski shprehu bindjen se përmes përgjegjësisë së përbashkët, respektimit konsekuent të rregullave dhe përkushtimit të vazhdueshëm institucional, Maqedonia do të vazhdojë të përmirësojë rezultatet dhe t’i afrohet qëllimit përfundimtar: sa më pak aksidente trafiku dhe zero jetë njerëzore të humbura.

artikuj të ndërlidhura