Shkup, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Deklaratat provokuese të politikanëve të lartë lidhur me planet për “pastrimin” e gjyqësorit dhe prokurorisë përbëjnë ndikim të palejuar dhe frikësim.
Komisioni Evropian në raportet për progresin e vendeve kandidate për anëtarësim në BE sot do të porosisë se vlerësimi i këtij viti është i fundit që do ta bëjë për Malin e Zi, pasi propozohet që në qershor të vitit të ardhshëm ai të nënshkruajë marrëveshjen e anëtarësimit në BE.
Maqedonia jo vetëm që nuk do të përfshihet në grupin e katër vendeve kandidate (krahas Malit të Zi, Shqipërisë, Moldavisë dhe Ukrainës) që do të marrin udhërrëfyes për anëtarësim, por do të marrë edhe mesazhin se nuk po bën asgjë lidhur me ndryshimet kushtetuese, përkatësisht për t’u gjetur në listën e vendeve që mund të hyjnë shpejt në BE. Edhe pse raporti i këtij viti përmban vlerësime pozitive dhe negative, vendi sot është larg fokusit të Bashkimit Evropian.
“Nuk janë ndërmarrë përpjekje për miratimin e ndryshimeve kushtetuese të përshtatshme të përmendura në Konkluzionet e Këshillit të datës 18 korrik 2022. Vendi ishte zotuar t’i iniciojë dhe zbatojë këto ndryshime, me qëllim që në Kushtetutë të përfshihen qytetarët që jetojnë brenda kufijve shtetërorë dhe që i përkasin popujve të tjerë, siç janë bullgarët”, qëndron në vlerësimin e KE-së.
Sipas KE-së, nevojiten përpjekje të konsiderueshme shtesë për promovimin e një atmosfere dialogu dhe respekti reciprok me Bullgarinë, duke vënë në dukje se Komisioni i Përbashkët Multidisiplinar i Ekspertëve për Çështje Historike dhe Arsimore ka mbajtur katër takime në periudhën mes shtatorit 2025 dhe marsit 2026, por pa rezultate konkrete.
“Bashkëpunimi mes dy vendeve lidhur me Korridorin VIII rezultoi me nënshkrimin e një marrëveshjeje në nëntor 2025, e cila ka të bëjë me përgatitjen, ndërtimin dhe menaxhimin e tunelit përgjatë korridorit, në kufirin ndërmjet dy vendeve. Dialogu i vazhdueshëm mes palëve, i mbështetur në nivelin më të lartë politik, mbetet thelbësor për avancimin e zbatimit të projektit”, rekomandon KE-ja.
Njëkohësisht përsëritet qëndrimi se “marrëveshjet ekzistuese dypalëshe me vendet fqinje duhet të zbatohen me mirëbesim nga të gjitha palët, duke përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim me Bullgarinë”, pasi më herët vërehet se ka pasur tensione edhe në raport me Greqinë për shkak të refuzimit të disa zyrtarëve për ta përdorur emrin kushtetues të shtetit.
“Anëtarë të qeverisë dhe funksionarë të lartë herë pas here nuk e respektojnë Marrëveshjen e Prespës, duke përfshirë mospërdorimin e emrit kushtetues të vendit, gjë që mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, thuhet në vlerësimin që paralajmëron rikthimin e kontestit me Greqinë në skenën politike për shkak të qëndrimeve të qeverisë.
Edhe pse ndryshimet kushtetuese janë pengesa e drejtpërdrejtë për përparimin e Maqedonisë, raporti përmban edhe vërejtje tjera më të mëdha, të cilat prej vitesh përsëriten dhe e paraqesin një pasqyrë të zymtë për gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit dhe demokracinë.
Sa i përket zgjedhjeve, vlerësohet se korniza ligjore dhe institucionale siguron bazë për zhvillimin demokratik të tyre, por ende nuk ka progres në harmonizimin me standardet e BE-së dhe zbatimin e rekomandimeve të mbetura të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias lidhur me Kodin Zgjedhor.
Vlerësohet gjithashtu se “dezinformatat zgjedhore dhe manipulimi me informacionet e huaja mbeten të trajtuara në mënyrë të pamjaftueshme” dhe se Maqedonia duhet të sigurojë transparencë në reklamimin politik, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare demokratike.
Lidhur me gjyqësorin dhe sundimin e ligjit, KE-ja vëren se vendi miraton ligje, por pavarësia e përgjithshme e gjyqësorit dhe autonomia e tij financiare minohen nga ndërhyrjet e vazhdueshme të pushteteve të tjera dhe mungesa serioze e resurseve financiare dhe njerëzore.
“Ndërhyrja në gjykata mbetet shqetësim serioz. Deklaratat provokuese të politikanëve të lartë lidhur me planet për ‘pastrimin’ e gjyqësorit dhe prokurorisë, përfshirë kritikat personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, përbëjnë ndikim të palejuar dhe frikësim, duke minuar pavarësinë e gjyqësorit”, thekson raporti.
Sipas Brukselit, nuk është arritur progres as në zbatimin e strategjive për menaxhimin e burimeve njerëzore në gjykata dhe prokurori, ndërsa kërkohet përshpejtimi i reformave gjyqësore dhe sigurimi i mjeteve të mjaftueshme financiare.
Një vërejtje veçanërisht e rëndë lidhet me Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë.
“Bordi drejtues i Akademisë anuloi procedurën më të madhe të pranimit deri më tani (130 kandidatë) për shkak të mungesës së mjeteve në buxhetin shtetëror për vitin 2026, duke çuar në një situatë ku nuk do të ketë kandidatë të rinj para vitit 2028”, vëren KE-ja.
Edhe këtë vit ndizet “alarmi i kuq” për Kodin Penal. KE-ja vlerëson se korrupsioni mbetet i përhapur dhe paraqet shqetësim serioz, ndërsa Kodi Penal aktual nuk siguron ndëshkueshmëri të mjaftueshme.
Raporti përmend edhe rastin e Artan Grubit.
“Janë hapur hetime të ndryshme për korrupsion, që kanë të bëjnë me keqpërdorim të mjeteve publike dhe forma të tjera korrupsioni. Disa prej tyre kanë rezultuar me aktakuza. Një ish-zëvendëskryeministër për të cilin ishte lëshuar fletarrest ndërkombëtar u kthye në vend, u vendos në arrest shtëpiak dhe po gjykohet për akuza për korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe shkelje të ligjeve për prokurim publik”, thuhet në raport.
Megjithatë, KE-ja thekson se rastet e korrupsionit të nivelit të lartë vazhdojnë të përballen me vonesa dhe shpesh arrijnë afatet e parashkrimit, duke kontribuar në perceptimin e pandëshkueshmërisë.
Jashtë këtyre çështjeve, raporti evidenton raste kur organizatat e shoqërisë civile dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut janë përballur me frikësime, ngacmime online dhe fushata shpifëse.
Po ashtu theksohet se “dhuna me bazë gjinore mbetet një çështje serioze e të drejtave të njeriut”, duke përfshirë dhunën në familje, dhunën psikologjike, ekonomike, kibernetike dhe femicidin.
Për Parlamentin vlerësohet se, megjithëse ekziston Rregullorja e punës, sërish nuk ka arritur ta miratojë agjendën e tij vjetore. Polarizimi politik vazhdon të pengojë miratimin e reformave të rëndësishme dhe emërimet kyçe.
Sa i përket marrëdhënieve ndëretnike, KE-ja vlerëson se situata në përgjithësi mbetet stabile dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit vazhdon të zbatohet, por sfidat ende ekzistojnë.
Në raport përmenden edhe debatet lidhur me të drejtat gjuhësore të shqiptarëve, përfaqësimin e drejtë dhe miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili ende pret mbështetjen e nevojshme në Kuvend.
Në fund, Komisioni Evropian porosit se “Maqedonia e Veriut duhet të arrijë progres të prekshëm në luftën kundër prodhimit dhe tregtisë me drogëra të paligjshme”, duke theksuar nevojën për vazhdimin e konfiskimeve dhe shkatërrimin e rregullt të narkotikëve të sekuestruar.
