10 vjet nga vdekja e Astrit Deharit – VV-ja insiston se u vra, kryeprokurori premton zbardhjen e rastit

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Nesër, të enjten, më 5 nëntor, bëhen 10 vjet nga vdekja e ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Deharit, për të cilin kjo parti vazhdon të jetë e bindur se është vrarë në burg në vitin 2016, shkruan Ekonomia Online.

Megjithatë, dy ekspertiza ndërkombëtare nuk kanë arritur të konstatojnë se aktivistin e VV-së, Astrit Deharin, e ka vrarë dikush. Të dyja kanë vlerësuar se pretendimi për vetëvrasje është më i qëndrueshëm.

10 vite pas, për të diskutuar rreth zbardhjes së këtij rasti, kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, institucion ky i kritikuar shumë nga VV-ja lidhur me rastin Dehari, ka takuar të martën e 3 nëntorit prindërit e Deharit, duke theksuar se zbardhja e rrethanave të vdekjes së tij është obligim institucional.

Në njoftimin për media u bë e ditur se pjesë e këtij takimi ishte edhe Bekim Kodraliu, prokurori i çështjes së Astrit Deharit.

“Kryeprokurori i Shtetit ka ritheksuar se ndriçimi i plotë i rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit është obligim institucional dhe se do të angazhohet maksimalisht që, brenda kompetencave dhe autorizimeve të tij ligjore, kjo çështje penale të trajtohet me profesionalizëm, me qëllim që të zbardhet e vërteta rreth këtij rasti dhe i njëjti të marrë epilog përfundimtar”, thuhej në njoftim.

Vetëvendosje si në opozitë ashtu edhe pas ardhjes në pushtet kishte premtuar se do ta zgjidhte këtë rast.

Madje Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ishte ndër zërat më të fuqishëm në kërkesat për zbardhjen e tij.

Në shkurt të vitit 2020, kur u emërua për herë të parë ministre e Drejtësisë në Qeverinë Kurti 1, Haxhiu vizitoi qendrën e paraburgimit në Prizren, ku kishte vdekur Astrit Dehari, dhe nga aty premtoi se do të punonin për zbardhjen e rastit.

“Ne nuk do të ndalemi derisa drejtësia për Astritin të vihet në vend”, kishte deklaruar Haxhiu më 3 shkurt 2020.

Pak ditë pas kësaj deklarate, Haxhiu kishte insistuar se rasti i Deharit do të zbardhej.

“Besoj fuqishëm që rasti i Astrit Deharit do të zbardhet sa më parë”, deklaronte Haxhiu më 16 shkurt 2020.

Ajo ishte shprehur edhe emocionalisht për këtë rast. Në një intervistë televizive, gjatë kohës sa ishte ministre e Drejtësisë, kishte thënë se as gjumin nuk po e bënte rehat.

“Diçka që nuk më lë të qetë gjatë gjithë mandatit tim, diçka që edhe gjumin nuk mundesh me e bërë bash rehat, është rasti Dehari”, kishte deklaruar ajo më 30 shtator 2022, duke shtuar se “do të bëj gjithçka brenda kompetencave të mia që përgjegjësit të dalin para drejtësisë”.

Në Qeverinë Kurti 1, Haxhiu ishte ministre për një periudhë të shkurtër, por nuk arriti të shënonte ndonjë rezultat në zbardhjen e rastit.

As gjatë Qeverisë Kurti 2, kur drejtoi për katër vjet Ministrinë e Drejtësisë, nuk pati ndonjë rezultat përfundimtar në këtë drejtim.

Përkundrazi, gjatë mandatit të saj pati edhe zhvillime të tjera problematike lidhur me këtë rast.

Në dhjetor të vitit 2022, Haxhiu kishte dalë në një konferencë për media për të bërë të ditur se mostrat e Astrit Deharit, të cilat ruheshin në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ishin zhdukur.

Ndryshe, Dehari ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ishte arrestuar së bashku me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizjeje, nën dyshimet se kishin sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Ai vdiq në burgun e Prizrenit. Zyrtarisht, vdekja e tij u konstatua si vetëvrasje, por Vetëvendosje ishte e bindur se dikush e kishte vrarë.

Që nga ajo kohë, provat janë dërguar edhe në institute jashtë vendit, por nuk është arritur të konstatohet përfshirja e personave të tjerë në vdekjen e Deharit.

Familja e tij që nga dita e vdekjes, vazhdon betejën për zbardhjen e rastit. Ata, njësoj si Vetëvendosje janë të bindur se dikush ua ka vrarë djalin.

artikuj të ndërlidhura