Shkup, 4 nëntor Zhurnal.mk – Në emisionin e sontëm „Top Tema“, për raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut diskutuan Marija Mirçevska nga Instituti për Demokraci dhe Sllagjana Taseva, presidente nderi e Transparency International.
Gjatë debatit u theksuan vërejtjet kryesore të raportit të Komisionit Evropian, përfshirë mungesën e përparimit në ndryshimet kushtetuese, problemet e vazhdueshme në gjyqësor dhe mungesën e rezultateve në luftën kundër korrupsionit.
Taseva theksoi se, ndonëse në disa fusha është shënuar njëfarë progresi, problemet kryesore mbeten pavarësia e gjyqësorit dhe autonomia financiare. Ajo gjithashtu nënvizoi se rastet e korrupsionit të nivelit të lartë vazhdojnë të shtyhen dhe se nuk ka përparim të dukshëm në luftën kundër korrupsionit.
„Jo gjithmonë rritja e numrit të hetimeve nënkupton edhe rritje të numrit të aktakuzave. Përkundrazi, po shohim ulje të numrit të aktakuzave. Në raport ka vërejtje serioze për ndikimet e jashtme dhe politike në punën e gjyqësorit. Kjo ndikon në politikën ndëshkimore dhe në mënyrën e shqiptimit të sanksioneve“, deklaroi Taseva.
Ajo veçanërisht u ndal te konfiskimi i pasurisë, duke theksuar se janë shumë të pakta rastet në të cilat gjatë procedurave gjyqësore janë shqiptuar masa për sekuestrimin dhe ngrirjen e pasurisë.
Sipas saj, shuma e pasurisë së konfiskuar është pothuajse pesë herë më e vogël krahasuar me vitin e kaluar.
„Konfiskimi është qëllimi përfundimtar i këtyre procedurave, sepse synon t’i merret përfitimi pasuror personit që e ka fituar atë në mënyrë të paligjshme. Në këtë mënyrë zvogëlohet fuqia e strukturave kriminale, duke i privuar ato nga mjetet materiale“, theksoi Taseva.
