Shkup, 4 nëntor Zhurnal.mk – Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj (MZMP) nis një iniciativë për dokumentimin e problemit me mbeturinat komunale të pambledhura dhe u bën thirrje qytetarëve që të përfshihen aktivisht duke dërguar fotografi, video dhe informacione për lokacionet ku vërehet menaxhim joadekuat i mbeturinave.
Nga kjo shoqatë theksojnë se mbeturinat e pambledhura janë bërë pamje e përditshme në shumë hapësira publike, në rrugët drejt vendeve të punës, para ndërtesave të banimit dhe në afërsi të shkollave.
Përmes kësaj iniciative, MZMP synon të dokumentojë gjendjen në terren dhe, në bazë të dëshmive të mbledhura, të parashtrojë kërkesë për realizimin e mbikëqyrjes inspektuese nga institucionet kompetente.
Qytetarët që dëshirojnë të raportojnë raste të tilla duhet të dërgojnë fotografi ose video të mbeturinave të pambledhura, lokacionin e saktë, si dhe datën dhe kohën kur është realizuar materiali.
Raportimet mund të dërgohen përmes mesazhit privat në faqet e shoqatës ose në adresën elektronike contact\@myla.org.mk.
Nga MZMP rikujtojnë se edhe gjatë vitit 2025 kishin kërkuar mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese për shkak të grumbullimit joadekuat të mbeturinave komunale në Shkup.
Pas komunikimit të përsëritur me Inspektoratin e Qytetit, Ndërmarrjes Publike „Higjiena Komunale“ dhe drejtorit të saj u janë shqiptuar urdhërpagesa për kundërvajtje.
Me iniciativën e re, shoqata kërkon sërish reagim institucional dhe përgjegjësi për gjendjen me higjienën komunale, ndërsa kësaj radhe u bën thirrje qytetarëve që të ndihmojnë në identifikimin dhe dokumentimin e problemeve.
„Ju tregoni se ku është problemi. Ne do të kërkojmë mbikëqyrje dhe masa“, apelojnë nga Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj.
https://www.vecer.press/da-prijavuvaat-lokaczii-so-nesobran-otpad-ke-se-pobara-inspekcziski-nadzor/
