Tabaku: Progresraporti i KE-së konfirmon shqetësimet e opozitës, të ndalet miratimi i reformave të njëanshme

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 5 nëntor, Zhurnal.mk – Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku tha sot se progresraporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë konfirmon shqetësimet e ngritura prej kohësh nga opozita lidhur me procesin e integrimit europian, sundimin e ligjit dhe funksionimin e demokracisë në vend.

Në një konferencë për mediet nga kryesia e Kuvendit, Tabaku u shpreh se protestat qytetare prej më shumë se 150 ditësh janë kundërshtim ndaj një sistemi që ka varfëruar qytetarët dhe ka dëmtuar demokracinë.

Ajo theksoi se protestat kanë nisur si kundërshtim ndaj katër ligjeve, të cilat bien ndesh me parimet dhe detyrimet e procesit të integrimit europian, ndërsa opozita ka kërkuar vazhdimisht diskutimin dhe rishikimin e tyre në Kuvend.

Tabaku përmendi ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për investimet strategjike, Paketën e Maleve dhe projektin e portit strategjik, që sipas saj, bien ndesh me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA).

“Komisioni Europian dorëzoi progresraportin e radhës për Shqipërinë, duke vendosur qeverinë shqiptare përballë pasqyrës që ajo ka ndërtuar për procesin e integrimit në këto vite. Për mbi 150 ditë, shqiptarët kanë protestuar në paqe kundër një sistemi të pandershëm, që i ka lodhur, i ka varfëruar, e ka bjerrur demokracinë e vendit. Ndryshe nga epitetet e vendosura nga qeveria e mazhoranca, protesta është ngritur e ka nisur pikërisht për katër ligje, që janë në thelb ligje dhe përpjekje të procesit të integrimit, që opozita i ka debatuar, i ka kërkuar, i ka risjellë në parlament për t’i miratuar, ndërkohë që janë refuzuar. Nuk është rastësi që për 150 ditë shumica e shqiptarëve e shprehu qartazi kundërshtinë e saj ndaj ndryshimeve të ligjit të zonave të mbrojtura, ndërkohë që qeveria shqiptare e dinte që në çdo pikë ajo shkelte marrëveshjen e stabilizim-asociimit.

“I njëjtë, dhe me ligjin e investimeve strategjike, i cili u shty për gjashtë herë dhe sot ka propozuar një ligj tjetër, po me të njëjtat parime vetëm me emër tjetër. E njëjta situatë është edhe në Paketën e Maleve, që është miratuar ajo në kundërshtim me MSA-në. Të gjitha këto ligje bashkë, por njëkohësisht me atë të portit strategjik, sot përmendet në progres-raport, përmenden si pengesa të procesit të integrimit”, tha Tabaku.

Deputetja demokrate nënvizoi se Shqipëria nuk duhet të fokusohet vetëm te shpejtësia e reformave, por mbi të gjitha te besueshmëria dhe zbatimi real i tyre.

“Në progresraportin e publikuar dje, Shqipëria tashmë duhet, jo veç të punojë shpejt, por duhet patjetër që të jetë e besueshme dhe duhet të jetë e vërtetë në reformat që ajo ndërmerr. Detyra e qeverisë nuk është të sundojë nëpërmjet tiranisë së shumicës, por nëpërmjet demokracisë funksionale dhe institucionale. Nuk duhen marrë reformat që i zhbëjnë demokracinë, respektin e pushtetit vendor, ndaj sundimit të ligjit, respektimit të vendimeve të Gjykatës, po duhet të ndërtohen ura komunikimi me qytetarët, por mbi të gjitha me opozitën, për të bërë dhe për të marrë parasysh reformat e nevojshme”, tha Tabaku.

Ajo u ndal edhe tek reformat territoriale dhe zgjedhore, duke theksuar se ato duhet të bazohen në dialog dhe konsensus mes palëve politike. Sipas Tabakut, reforma territoriale është miratuar në mënyrë të njëanshme, vetëm me votat e mazhorancës, pavarësisht rekomandimeve të Komisionit Europian për dialog me opozitën.

“Shihni reformat territoriale dhe ato zgjedhore, të dyja të përmendura në këtë progresraport. Komisioni Europian, e para që në raportin e vitit të shkuar i kishte sugjeruar shumicës socialiste të dialogojë me opozitën për të votuar një raport konsensual, ndërkohë që sot kemi një reformë territoriale të njëanshme, të miratuar vetëm me votat e shumicës, një rivizatim kufijsh, i cili është gjithmonë e më shumë larg konceptit të pushtetit vendor dhe është vetëm një pushtet për pakicën. Këtë e evidenton edhe progresraporti. Ndërkohë, e njëjta shumicë që kishte premtuar dialog me opozitën për reformën territoriale dhe administrative, kërcënon sot me reformën elektorale që është përsëri një përpjekje e këtij progresraporti për një reformë të gjithëpranuar nga të gjitha palët politike”, tha ajo.

artikuj të ndërlidhura