Shkup, 5 nëntor, Zhurnal.mk – Sektori bankar në vend është stabil dhe i rregulluar me ligje më rigoroze. Kjo u theksua nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska në Ditarin Qendror të RTM-së.
“Sektori bankar në Republikën e Maqedonisë është stabil dhe kjo nuk është hera e parë që e them këtë. Ky është rezultat i përvojës dhe punës shumëvjeçare në sektorin bankar. Ligjet në Maqedoni janë më rigoroze kur bëhet fjalë për këtë pjesë ose sistemin financiar në tërësi, veçanërisht do ta veçoja sistemin bankar. Gjithashtu, duhet të them se jo vetëm rregullativat ligjore, por edhe aktet nënligjore të përcaktuara nga Banka Popullore, si dhe procedurat e brendshme që kanë bankat janë shumë rigoroze”, theksoi ministrja.
Ajo potencoi se sistemi bankar është stabil dhe se situata me Bankën “Allta” ka ndikim pothuajse të parëndësishëm në të gjithë sektorin bankar, por se shqetësimet e klientëve janë legjitime.
“Nëse ju jeni klient i Bankës në fjalë, është krejtësisht e natyrshme të jeni të shqetësuar, qoftë për shkak se nuk e keni marrë pagën, qoftë për shkak se keni mjete financiare të depozituara në Bankë. Në këto rrethana, kur administrata e Bankës Popullore vendos masa të caktuara kufizuese është plotësisht legjitime që qytetarët të shprehin shqetësimin e tyre. Por duhet të kemi besim në sistem, t’i besojmë sistemit dhe institucionit kompetent që tashmë po vepron atje, si dhe të besojmë se situata do të jetë nën kontroll. Aq më tepër që kjo nuk është rezultat i problemeve që ka pasur banka në Maqedoni, por është rezultat i asaj që po ndodh në kompaninë amë, do të thosha, që është pronare e bankës në Maqedoni, e kjo është banka në Serbi. Problemet fillojnë prej andej, kështu që banka në Maqedoni gjendet në një situatë ku mbetet pa pronar, përkatësisht ndryshojnë rrethanat atje dhe pikërisht këtu lindin problemet”, sqaroi ministrja.
Ajo bëri thirrje që ta lëmë institucionin kompetent – Bankën Popullore – t’i zbatojë aktivitetet në përputhje me aktet nënligjore dhe ta ndjekim zhvillimin e situatës.
Sipas ministres është e rëndësishme që kemi Fondin për Sigurimin e Depozitave, përmes të cilit, në fund të fundit, nëse paraqitet nevoja, do të kompensohen deponuesit në bankë. Me këtë rast, ajo shprehu bindjen se nuk do të duhej të vinte deri te një situatë e tillë.
Në intervistë, ajo iu referua Propozimit të buxhetit për vitin 2027, i cili, siç theksoi, para së gjithash është paraparë t’i përmbushë detyrimet ligjore dhe njëkohësisht ta ruajë komponentin zhvillimor. Gjithashtu, ajo deklaroi se të punësuarit në të gjitha institucionet do të marrin paga më të larta si rezultat i rritjes së pagës minimale, ndërsa në disa sektorë edhe në bazë të marrëveshjeve kolektive të nënshkruara.
