Limani: Synojmë bashkimin e strukturave dhe rikthimin e të gjithë atyre që janë larguar nga partia

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka folur për procesin e bashkimit dhe konsolidimit të Aleancës për Shqiptarët në prag të Kongresit, duke theksuar se prioritet mbetet rikthimi i anëtarëve dhe aktivistëve të larguar nga partia. Ai ka komentuar edhe spekulimet për pozicionimin e tij politik, duke deklaruar se mbetet pjesë e ASH-së, ndërsa ka folur për projektet e realizuara në Gostivar dhe investimet që pritet të nisin në periudhën e ardhshme.

Limani bëri të ditur se procesi i përgatitjeve për Kongresin po zhvillohet sipas dinamikës së paraparë, ndërsa tashmë është përmbyllur formimi i pothuajse të gjitha degëve të partisë. Sipas tij, Kongresi pritet të mbahet në fillim të muajit dhjetor, ndërsa data e saktë do të caktohet në ditët në vijim.

Duke folur për prioritetet e partisë paralelisht me Kongresin, Limani theksoi se bashkimi i strukturave dhe rikthimi i njerëzve që kanë qenë pjesë e Aleancës duhet të jenë objektivi kryesor politik dhe organizativ.

„Qëndrimi ynë aktual si ASH është që me Kongresin të kemi si qëllim bashkimin e strukturave. Të bisedojmë me të gjithë njerëzit të cilët në periudha të ndryshme kohore janë distancuar apo janë larguar për arsye të ndryshme dhe t’i rikthejmë. Mendoj se ASH-ja ka një potencial të jashtëzakonshëm njerëzor dhe duhet të mundohemi që secilin që gjatë rrugëtimit tonë ka qenë pjesë e Aleancës, ta rikthejmë aty ku e ka vendin“, deklaroi Limani.

Ai vlerësoi se vetëm përmes bashkimit dhe konsolidimit të brendshëm, Aleanca për Shqiptarët mund të forcohet si subjekt serioz politik, i aftë për të përfaqësuar interesat e shqiptarëve si në pushtetin lokal, ashtu edhe në atë qendror.

Sa i përket çështjes së lidershipit dhe kandidaturave të mundshme për kryetar të partisë, Limani tha se ende është herët për të folur, duke theksuar se vendimi për kandidimin i takon kryetarit aktual, Arben Taravari. Ai u shpreh se Taravari ka pasur një mandat të suksesshëm dhe se një mandat i dytë do të ishte i arsyeshëm, ndërsa theksoi se në rast të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të ishte në interes të partisë që ai ta vazhdonte drejtimin e saj, për të garantuar vazhdimësi dhe stabilitet në një periudhë të ndjeshme politike.

Limani, i cili drejton Këshillin Organizativ të Kongresit, theksoi se për momentin është i përqendruar në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e këtij procesi, duke hedhur poshtë spekulimet për ambicie personale për pozita partiake.

Mesazhi kryesor i Limanit është se Kongresi nuk duhet të shihet vetëm si proces zgjedhor për lidershipin e ri, por si një mundësi për një kapitull të ri në Aleancën për Shqiptarët, me fokus te bashkimi, rikthimi i strukturave dhe forcimi i subjektit politik.

artikuj të ndërlidhura