BDI: Raporti i KE-së alarmues, politikat e Qeverisë po e kthejnë vendin prapa

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 nëntor, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj Raportit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2026, duke e cilësuar atë si një nga vlerësimet më shqetësuese që vendi ka marrë vitet e fundit.

Sipas BDI-së, raporti dëshmon se Maqedonia e Veriut po humb ritmin e reformave, po largohet nga dinamika e integrimit evropian dhe po përballet me probleme serioze në funksionimin e institucioneve.

Nga partia opozitare shqiptare thonë se për herë të parë çështjet që lidhen me zbatimin e gjuhës shqipe dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat kanë marrë një vend të theksuar në vlerësimin e Komisionit Evropian.

“Kjo është pasoja më e rëndë politike e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së me VLEN-in: çështje të barazisë që duhej të ishin garanci të pakontestueshme institucionale, sot janë kthyer në shqetësim evropian”, thuhet në reagimin e BDI-së.

BDI-ja e ka kritikuar edhe partnerin shqiptar në Qeveri, VLEN-in, duke theksuar se kjo parti kishte hyrë në ekzekutiv me premtimin se do të përfaqësonte interesat e shqiptarëve.

“VLEN hyri në Qeveri me premtimin se do t’i përfaqësonte shqiptarët. Sot, pasojat e pjesëmarrjes së tyre në këtë qeverisje po lexohen në Bruksel”, thuhet më tej në reagim.

Sipas BDI-së, shfuqizimi i mekanizmit të Balancuesit dhe mungesa e një zgjidhjeje të re për përfaqësimin, së bashku me problemet që, siç pretendojnë, vazhdojnë të hasen në realizimin e të drejtave gjuhësore, janë tregues të një situate shqetësuese.

BDI-ja ka kritikuar Qeverinë edhe për rezultatet në fusha të tjera, duke pretenduar se nuk ka pasur progres të mjaftueshëm në luftën kundër korrupsionit, lirinë e shprehjes, prokurimet publike, mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetësinë.

“Një qeverisje që premtoi reforma, sot po prodhon stagnim në fusha themelore të shtetit”, vlerëson BDI-ja.

Në reagim, partia përmend edhe dinamikën e procesit të integrimit evropian në rajon, duke theksuar se Shqipëria po avancon në negociatat me Bashkimin Evropian, ndërsa Mali i Zi po i afrohet përfundimit të tyre.

Ndërkohë, sipas BDI-së, Maqedonia e Veriut mbetet jashtë kësaj dinamike dhe ende nuk e ka hapur klasterin e parë të negociatave.

“Ky është çmimi që qytetarët po paguajnë për drejtimin politik të kësaj qeverie”, thuhet në reagim.

BDI-ja vlerëson se vendi po humb kohë në procesin e integrimit evropian, ndërsa shqiptarët, sipas saj, po përballen sërish me çështje që lidhen me të drejtat e tyre gjuhësore dhe përfaqësimin.

Në fund, BDI-ja kërkon ndryshim të kursit qeverisës, duke theksuar se raporti i Komisionit Evropian duhet të shërbejë si alarm për institucionet.

“Barazia, funksionimi i shtetit dhe perspektiva evropiane nuk mund të vazhdojnë të jenë viktima të kësaj qeverisjeje”, përfundon reagimi i Bashkimit Demokratik për Integrim.

artikuj të ndërlidhura