Shkup, 5 nëntor, Zhurnal.mk – VMRO-DPMNE ka reaguar ndaj akuzave të Andrej Zhernovskit nga Lidhja Socialdemokrate (LSDM), duke e kritikuar ashpër atë për njohuritë në çështjet ndërkombëtare dhe duke vënë në pikëpyetje kapacitetet e tij për të ushtruar funksionin e sekretarit ndërkombëtar të partisë.
Nga VMRO-DPMNE thonë se, sipas tyre, problemi qëndron te LSDM-ja, e cila në pozicionin e sekretarit ndërkombëtar ka emëruar një person që nuk i kupton zhvillimet ndërkombëtare. Në reagim përmendet edhe fakti se Zhernovski nuk u emërua ambasador.
“Katastrofa është te LSDM-ja, parti e cila për sekretar ndërkombëtar ka një njeri që nuk i kupton çështjet ndërkombëtare dhe një ambasador të parealizuar, Andrej Zhernovskin”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Nga kjo parti thonë se Zhernovski nuk ka njohuri elementare për çështjet ndërkombëtare, duke përmendur si shembull, sipas tyre, mungesën e njohurive për kuptimin e akronimit NATO.
“Një njeri që dëshiron të merret me çështje ndërkombëtare, por nuk ka njohuri elementare, siç është rasti kur nuk e di se çfarë nënkupton akronimi NATO. Zhernovski është njeri që mban titullin partiak të sekretarit ndërkombëtar, por nuk e di se çfarë po ndodh as në Evropë dhe as në botë”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Në reagim, VMRO kritikon Zhernovskin edhe për përmendjen e Laura Kövesit, duke pretenduar se ai nuk është i informuar se Prokuroria Publike Evropiane tashmë ka një kryeprokuror të ri.
“Ai ende e përmend Laura Kövesin, pa e ditur se Prokuroria Publike Evropiane tashmë ka një kryeprokuror të ri. Të tilla kuadro zgjedh LSDM-ja në pozita të larta drejtuese, si Zhernovski, i cili nuk e di se kush është kryeprokurori i Prokurorisë Publike Evropiane, ndërsa nuk ndalet së lavdëruari veten si një kapacitet i madh dhe si dikush që ende ka shumë për t’i ofruar skenës politike maqedonase”, thuhet më tej në reagim.
Ndërkohë, duke komentuar Raportin vjetor të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, i cili sot do t’i dorëzohet kryeministrit, nga VMRO-DPMNE vlerësojnë se dokumenti përmban konstatime pozitive për përparimin e vendit në disa fusha kyçe.
Sipas VMRO-së, në raport theksohet se është arritur përparim i konsiderueshëm në fusha të rëndësishme, se është rritur gatishmëria e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se janë dhënë vlerësime pozitive për Agjendën e Reformave.
“LSDM-ja dhe Zhernovski mund të shohin me çfarëdo dioptrie që duan, por realiteti është se Maqedonia po reformohet dhe po përparon, gjë që e sheh dhe e vlerëson edhe Bashkimi Evropian”, përfundojnë nga VMRO-DPMNE.
