Përplasjet VMRO-VLEN / Mexhiti: Të përqendruar në zgjidhje, jo në zgjedhje, përjashton zgjedhjet e parakohshme

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 nëntor, Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka pranuar se mes partnerëve të koalicionit qeverisës ka dallime në qëndrime dhe përplasje pikëpamjesh, por ka theksuar se ato po trajtohen përmes komunikimit dhe takimeve të rregullta brenda koalicionit.

Duke komentuar deklaratat e VMRO-DPMNE-së, e cila e ka akuzuar VLEN-in se ka luajtur rolin e “kalit të Trojës” në zgjedhjet lokale në Bërvenicë, Mexhiti tha se marrëdhëniet mes partnerëve nuk janë gjithmonë pa mospajtime, por se Qeveria ka kapacitet për t’i tejkaluar ato.

“Ne kemi takime të rregullta me kryeministrin Mickoski. Ne jemi partnerë në Qeveri. Por nuk mendojmë gjithmonë njësoj. Ka momente kur mendojmë ndryshe. Ka momente kur përplasemi në pikëpamje, por Qeveria ka kapacitet demokratik për t’i mbyllur këto çështje dhe për të ecur përpara. Pra, ne jemi të përqendruar në zgjidhje, jo në zgjedhje. Ne takohemi vazhdimisht. Kjo nuk është e re, sepse takohemi rregullisht”, deklaroi Mexhiti.

Ai shtoi se prioritet i Qeverisë mbetet puna dhe realizimi i projekteve, duke theksuar se partnerët janë të përqendruar në zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe jo në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

artikuj të ndërlidhura