Nis faza e dytë e vaksinimit kundër gripit në Dibër

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 nëntor, Zhurnal.mk – Në Njësinë e Entit për Shëndet Publik në Dibër po zhvillohet vaksinimi kundër gripit sezonal. Nga ky institucion, i cili funksionon në kuadër të Entit për Shëndet Publik në Ohër, bëjnë të ditur se kanë arritur vaksinat për personat mbi 65 vjeç, si dhe për ata që vuajnë nga sëmundje kronike.

Përfaqësuesi i Njësisë për Shëndet Publik në Dibër, Blendi Mela, për gazetën KOHA tha se vaksinimi po realizohet në dy faza për qytetarët e paraqitur nga komunat e Dibrës dhe Qendër Zhupës. “Në fazën e parë janë paraparë 300 vaksinime. Deri më sot janë vaksinuar 200 persona, kryesisht të moshuar, ndërsa pritet që në fazën e dytë të realizohen edhe 300 vaksinime të tjera. Paraqitja e qytetarëve është bërë në mënyrë elektronike përmes platformës Vakcinacija.mk. Tashmë ka filluar edhe faza e dytë e vaksinimit, e cila pritet të përfundojë brenda dy javësh. Për momentin nuk ka vaksina komerciale”, tha Mela.

Sipas të dhënave të këtij institucioni, vitin e kaluar kundër gripit sezonal janë vaksinuar rreth 700 persona, ndërsa këtë vit janë planifikuar gjithsej 600 vaksinime. Kjo paraqet një rënie të numrit të vaksinimeve të planifikuara krahasuar me vitin e kaluar.

Në Njësinë për Shëndet Publik në Dibër theksojnë se vaksinimi kundër gripit sezonal është masa më efektive për parandalimin e sëmundjes. Ai ndihmon në parandalimin e formave më të rënda të gripit, komplikimeve dhe rasteve me përfundim fatal, veçanërisht te grupet më të rrezikuara.

Vaksinimi kundër gripit sezonal nuk është i detyrueshëm dhe bëhet me kërkesë të qytetarëve. Vaksinimi falas është i dedikuar për grupet më të rrezikuara, ku përfshihen personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna dhe kategori të tjera të përcaktuara. (V.S)

artikuj të ndërlidhura