Shkup, 5 nëntor Zhurnal.mk – Ndërmarrja Publike “Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut – Infrastruktura” në Shkup prej disa vitesh vazhdimisht regjistron rezultate negative financiare nga puna e saj, gjë që ndikon negativisht në mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe modernizimin e infrastrukturës hekurudhore. Kjo infrastrukturë paraqet një segment kyç të sistemit të transportit në vend, me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik, lidhjen e rajoneve dhe mbrojtjen e mjedisit, thuhet në raportin e ri të revizionit.
Enti Shtetëror i Revizionit ka kryer revizionin e raporteve financiare, së bashku me revizionin e përputhshmërisë, për Ndërmarrjen Publike për Infrastrukturën Hekurudhore “Hekurudhat e Republikës së Maqedonisë së Veriut – Shkup”, për vitin 2024.
Nga revizioni është konstatuar se pjesa më e madhe e mjeteve materiale në përgatitje të ndërmarrjes, në vlerë prej 8.898.087 mijë denarësh (rreth 144 milionë euro), përbëhet nga projekte që janë në fazën e realizimit, siç është ndërtimi i dy segmenteve të hekurudhës nga Kumanova deri në Kriva Pallankë. Këto projekte financohen përmes kredive nga institucionet financiare ndërkombëtare.
Analiza e realizuar ka treguar se për rehabilitimin, ndërtimin dhe rindërtimin e infrastrukturës hekurudhore janë miratuar kredi në vlerë të përgjithshme prej 191,4 milionë eurosh, prej të cilave 44 për qind ende nuk janë tërhequr. Për këtë arsye, deri në fund të vitit 2024 janë paguar 7,78 milionë euro komisione për mjetet e patërhequra, prej të cilave 536 mijë euro vetëm gjatë vitit 2024. Pjesa më e madhe e këtyre shpenzimeve lidhet me kredinë për Korridorin 8 – Faza 2.
Gjatë vitit 2024, për kamatat e kredive, normat e të cilave janë variabile dhe lëvizin nga 4,84 deri në 5,14 për qind, janë paguar gjithsej 2,85 milionë euro.
Është konstatuar mungesë e një qasjeje sistematike dhe analitike, si dhe përgatitje e pamjaftueshme gjatë planifikimit, projektimit fillestar, ndërtimit dhe rindërtimit të segmenteve 1 dhe 2 të pjesës lindore të Korridorit Hekurudhor 8, ndërtimi i të cilave ka filluar në vitin 1996. Për këtë arsye nuk është siguruar qasje e vazhdueshme, e pandërprerë dhe cilësore në infrastrukturën hekurudhore, si dhe organizim dhe rregullim i sigurt i trafikut hekurudhor.
Për shkak të punimeve të shumta të paparashikuara dhe shtesë, janë bërë ndryshime dhe plotësime të projekteve bazë, si dhe janë paraqitur kërkesa shtesë, gjë që ka shkaktuar rritjen e vlerës së kontratave të lidhura dhe zgjatjen e afateve për ndërtimin dhe rindërtimin e segmenteve.
Vlera e kontratës për segmentin numër 1, e lidhur gjatë vitit 2013, është rritur për 96 për qind krahasuar me vlerën e kontratës fillestare, përkatësisht me 39,7 milionë euro. Kjo nënkupton rreth 2 milionë euro për një kilometër për rehabilitimin e Korridorit 8, faza e parë.
Afati për përfundimin e projektit është zgjatur për 8 vjet e 3 muaj për shkak të gabimeve në dokumentacionin projektues, gabimeve konstruktive dhe statike, zgjidhjeve teknike të papërshtatshme në raport me gjendjen ekzistuese në terren, nevojës për shpronësime shtesë, ndryshimit të materialeve, sinjalizimit dhe telekomunikacionit, ndërtimit të rrugëve qasëse, ndërprerjes së kontratës dhe përzgjedhjes së një kontraktuesi të ri.
Sa i përket segmentit numër 2, 18 vjet pas ndërprerjes së punimeve dhe 8 vjet pas lidhjes së marrëveshjes për kredi, në korrik të vitit 2022 është lidhur kontrata për ndërtim në vlerë prej 155 milionë eurosh, ndërsa afati për përfundimin e punimeve është shtyrë deri më 23 tetor 2026.
Është konstatuar se një pjesë e mjeteve materiale në përgatitje, përkatësisht 33 për qind e tyre, janë blerë para 15 vitesh dhe nuk janë përdorur asnjëherë. Kjo paraqet shfrytëzim joefikas të mjeteve publike dhe vë në pikëpyetje arsyeshmërinë e blerjes së tyre, ndërsa ekziston edhe mundësia e zvogëlimit të vlerës së tyre të përdorimit.
Nga kontrolli i librave afaristë të ndërmarrjes është konstatuar se për tokën me vlerë prej rreth 117 milionë eurosh nuk janë siguruar fletëpronësitë. Gjithashtu, 91 për qind e objekteve ndërtimore, përkatësisht 12.772.972 mijë denarë (mbi 200 milionë euro), janë objekte infrastrukturore lineare që nuk janë të regjistruara në Kadastrën e Objekteve Infrastrukturore pranë Agjencisë për Kadastër të Patundshmërive. Për 88 për qind të objekteve të tjera ndërtimore, ndërmarrja publike nuk posedon fletëpronësi që do të dëshmonin të drejtën e regjistruar të pronësisë.
Ndërmarrja Publike “Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut – Infrastruktura” vazhdimisht regjistron humbje nga veprimtaria e saj. Për vitin 2024, humbja arrin në 188.775 mijë denarë, ose mbi 3 milionë euro. Krahasuar me vitin paraprak, 2023, kjo humbje është zvogëluar për 486.136 mijë denarë.
Megjithatë, së bashku me humbjet e bartura nga vitet e mëparshme, në vlerë prej 4.536.122 mijë denarësh, humbja e përgjithshme arrin në 4.724.897 mijë denarë, ose 76,6 milionë euro.
Humbjet e vazhdueshme ndikojnë negativisht në punën aktuale dhe të ardhshme të ndërmarrjes publike, në zhvillimin e saj dhe vënë në pikëpyetje menaxhimin efikas, mirëmbajtjen dhe sigurinë e infrastrukturës dhe trafikut hekurudhor.
Nga analiza e numrit të të punësuarve, strukturës së moshës dhe kualifikimeve, revizioni ka konstatuar se nga gjithsej 1.314 vende pune të sistematizuara, janë plotësuar vetëm 54 për qind, përkatësisht 718 vende pune. Paraqitja grafike e strukturës së moshës tregon se përqindjen më të madhe e përbëjnë të punësuarit e moshës 56 deri në 60 vjeç.
Nga numri i përgjithshëm i të punësuarve, 30 për qind nuk i plotësojnë kushtet e veçanta për nivelin ose llojin e arsimit, ndërsa 5 për qind nuk i plotësojnë kushtet shtesë të përcaktuara me aktin e sistematizimit. Kjo mund të ndikojë negativisht në organizimin e punës, shpërndarjen e detyrave dhe kryerjen cilësore të veprimtarisë.
Që nga viti 2020 e deri në periudhën e kryerjes së revizionit, është krijuar praktikë që mungesa e kuadrit të plotësohet përmes sistemimit të përkohshëm të të punësuarve në vende pune të sistematizuara, në vend që të zhvillohen procedura punësimi përmes konkurseve publike ose avancimi përmes konkurseve të brendshme.
Kjo praktikë nuk është në përputhje me parimet e kushteve të barabarta, qasjes së barabartë në vendin e punës, përfaqësimit të duhur dhe të drejtë, si dhe parimin e profesionalizmit dhe kompetencës gjatë punësimit dhe avancimit të të punësuarve.
Nga gjithsej 96 të punësuarit që gjatë vitit 2024 janë sistemuar me vendime të përkohshme, 55 për qind nuk i kanë plotësuar kushtet e veçanta për vendin e punës, ndërsa 12 për qind nuk i kanë plotësuar kushtet shtesë të përcaktuara me aktin e sistematizimit të vendeve të punës në ndërmarrje.
Sa i përket kryerjes së veprimtarisë kryesore të ndërmarrjes publike, e cila përfshin menaxhimin, ndërtimin, rindërtimin, riparimin, mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e infrastrukturës hekurudhore, organizimin dhe rregullimin e trafikut hekurudhor, si dhe menaxhimin e sistemeve për rregullimin dhe sigurinë, revizioni ka konstatuar se infrastruktura hekurudhore është e vjetruar, mirëmbahet në mënyrë të pamjaftueshme dhe pjesërisht është jofunksionale.
Në një pjesë të korridoreve kryesore, 10, 10d dhe 8, trenat qarkullojnë me shpejtësi të reduktuar për shkak të defekteve të shumta, sistemeve të vjetruara dhe traversave të djegura, ndërsa në disa segmente trafiku është ndërprerë plotësisht.
Për më shumë se 40 vjet nuk janë bërë investime të rëndësishme, gjë që rrezikon sigurinë, kapacitetin e trafikut hekurudhor dhe mënyrën e kryerjes së veprimtarisë. Për këtë arsye, theksohet nevoja për investime të konsiderueshme në modernizimin dhe rinovimin e infrastrukturës.
Gjatë revizionit janë konstatuar edhe një sërë gjendjesh dhe parregullsish të tjera. Për tejkalimin e tyre janë dhënë rekomandime që synojnë ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve përkatëse nga institucionet kompetente dhe personat përgjegjës.
Përfaqësuesi ligjor i ndërmarrjes publike i ka dorëzuar Entit Shtetëror të Revizionit dy njoftime për masat e ndërmarra lidhur me rekomandimet e revizorit shtetëror të autorizuar, duke përfshirë edhe informacione për aktivitetet e ndërmarra dhe shkallën e realizimit të projekteve të Korridorit 8.
