Vrasësi nga Bogdanci kishte ndalesë gjyqësore për t’iu afruar 17-vjeçares Biljana

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Bogdanci, 5 nëntor Zhurnal.mk – Viktor Gunterov, 21-vjeçari që vrau 17-vjeçaren Biljana, kishte një masë aktive gjashtëmujore të ndalimit për t’iu afruar vajzës.

Pas denoncimit të bërë nga babai i saj në polici më 30 shtator, Qendra për Punë Sociale në Gjevgjeli kishte dorëzuar në Gjykatën Themelore një propozim për shqiptimin e masave të përkohshme për mbrojtje nga dhuna në familje. Vendimi ishte marrë më 16 tetor, ndërsa më 19 tetor i ishte dorëzuar edhe autorit të dyshuar.

Masat parashikonin ndalimin e keqtrajtimit dhe shqetësimit të 17-vjeçares Biljana, ndalimin e telefonatave dhe çdo forme tjetër të kontaktit të tërthortë me të. Gjithashtu, atij i ndalohej ta kërcënonte me dhunë në familje dhe t’i afrohej në një distancë më të vogël se 100 metra nga banesa e saj apo nga Shkolla e Mesme “Bogdanci”, ku Biljana ishte nxënëse.

Nga Prokuroria Themelore Publike bëjnë të ditur se gjatë periudhës pas shqiptimit të masave nuk kishte pasur denoncime se Gunterov i kishte shkelur ato.

Për momentin mbetet e paqartë se si, pavarësisht ndalesës aktive gjyqësore, Gunterov arriti ta bindte Biljanën të shkonte me të, si dhe çfarë ndodhi saktësisht në mbrëmjen tragjike të 3 nëntorit.

Zjarrin në automjetin ku u gjet trupi i pajetë i 17-vjeçares e kishte denoncuar një banor i Bogdancit. Pranë automjetit ishte gjetur edhe trupi i Gunterovit, për të cilin dyshohet se, pasi i vuri flakën vajzës, i dha fund jetës duke u vetëvarur.

Ndërkohë, priten rezultatet e autopsisë, të cilat pritet të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat në të cilat u vra Biljana, si dhe mbi vdekjen e Viktorit.

artikuj të ndërlidhura