Gjashtë investitorë shprehin interes për Alta Bankën e Manastirit

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut po kërkon blerës për Alta Bankën me seli në Manastir, të cilën e vendosi nën administrim të përkohshëm pasi bankës amë në Beograd iu hoq licenca e punës. Guvernatori Trajko Sllaveski tha se gjashtë investitorë kanë shprehur interesim.

Sllaveski e bëri këtë deklaratë të shtunën në një konferencë për media në Bankën Popullore, raportuan mediat maqedonase. Mes palëve të interesuara janë edhe dy banka vendore, përfaqësuesit e të cilave guvernatori i takoi. Ai nuk tregoi se për cilat banka apo investitorë bëhet fjalë.

„Opsioni më i mirë është ajo që po bëjmë: mbrojtja e mjeteve dhe depozitave të qytetarëve, si dhe shitja e Alta Bankës SHA Manastir. Po shqyrtojmë edhe alternativa për skenarët ekstremë“, tha Sllaveski.

Falimentimi i bankës, sipas tij, nuk është opsion i dëshirueshëm. Shitja nuk duhet të jetë problem, pasi, siç tha ai, bëhet fjalë për një bankë të shëndoshë, të përqendruar te bujqësia dhe industria, ndërsa çmimi i saj nuk përbën sfidë financiare as për bankat e mesme.

Banka punon, por kompanitë nuk mund të paguajnë rrogat

Banka Popullore vendosi administrim të përkohshëm në Alta Bankën e Manastirit më 1 nëntor. Sllaveski tha se banka vazhdon të punojë, është likuide dhe e kapitalizuar mirë. Administrimi i përkohshëm do të mbetet në fuqi derisa të ndryshojë pronësia.

Megjithatë, shërbimi i bankimit elektronik nuk funksionon, ndërsa personat juridikë nuk kanë qasje në degët e bankës. Për këtë arsye, disa kompani që kanë llogari në këtë bankë ende nuk kanë mundur t’i paguajnë rrogat e tetorit. Guvernatori paralajmëroi se kjo çështje duhet të zgjidhet javën e ardhshme.

Para se t’i nxjerrë aksionet në shitje, Banka Popullore duhet të marrë përgjigje nga Agjencia Serbe për Sigurimin e Depozitave, e cila administron Alta Bankën me seli në Beograd dhe zotëron mbi 95 për qind të aksioneve të bankës me seli në Manastir. Afati për përgjigje përfundoi të enjten, ndërsa Sllaveski tha se të hënën do të mësojë nëse letra ka mbërritur.

Guvernatori konfirmoi gjithashtu se ishte konsultuar me kryeministrin Hristijan Mickoski lidhur me hyrjen e Alta Bankës në tregun maqedonas, kur ajo mori në pronësi ish-Bankën Ekonomike të Manastirit.

Banka Popullore e Serbisë ia hoqi licencën e punës Alta Bankës në fund të tetorit dhe banka u shpall e falimentuar. Pronari i Alta Grupit, Davor Macura, ndodhet në paraburgim.

artikuj të ndërlidhura