Shkup, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Ndërlidhja rajonale energjetike dhe përgatitja për sfidat klimatike ishin temat kryesore të takimit ministror të CESEC në Zagreb, ku prezantim pati ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska.
Bozhinovska theksoi se zhvillimi i infrastrukturës rajonale energjetike është me rëndësi thelbësore për stabilitetin afatgjatë të rajonit.
“Siguria energjetike dhe diversifikimi nuk janë më vetëm opsione strategjike, por domosdoshmëri. Ndërlidhja rajonale dhe investimet e përbashkëta janë kyçe për furnizim të qëndrueshëm, ekonomi konkurruese dhe siguri afatgjatë energjetike”, deklaroi Bozhinovska.
Ajo prezantoi afatet për ndërtimin e rrjetit të gazit natyror, sipas të cilave interkonektori me Greqinë pritet të përfundojë deri në mesin e vitit 2027, ndërsa lidhja me Serbinë deri në vitin 2028.
“Me përfshirjen e të dy projekteve në iniciativën ‘Korridori Vertikal i Gazit’, Maqedonia e Veriut bëhet pjesë e rëndësishme e infrastrukturës rajonale për diversifikimin e furnizimit dhe lidhjen e tregjeve energjetike”, theksoi ministrja.
Reformat në sektorin energjetik përfshijnë harmonizimin me rregullat evropiane për një treg transparent dhe konkurrues të gazit. Në takim u diskutua gjithashtu për efektet e elektrifikimit, burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe strategjinë për hidrogjenin.
Sa i përket mbrojtjes së sistemeve energjetike nga kushtet ekstreme të motit, Bozhinovska nënvizoi nevojën për përgatitje më të madhe infrastrukturore.
“Qëndrueshmëria klimatike duhet të bëhet shtylla e tretë e sigurisë energjetike, krahas sigurisë së furnizimit dhe diversifikimit. Na nevojiten sisteme energjetike që jo vetëm të jenë të lidhura dhe efikase, por edhe të afta t’u rezistojnë sfidave të së ardhmes”, theksoi Bozhinovska.
