Imami Bashkim Aliu nga Tetova largohet nga postet në Zvicër

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Imami me origjinë shqiptare, Bashkim Aliu, është detyruar të largohet nga të gjitha funksionet e tij publike në Zvicër. Kështu shkruan mediumi zviceran Watson.ch, i cili i referohet hulumtimeve të gazetës SonntagsZeitung, i cili zbuloi deklarata homofobe dhe kontakte të tij me qarqe radikale islamike.

Aliu, deri në mesin e kësaj jave, drejtonte Komisionin e Imamëve pranë Federatës së Organizatave Islamike në Zvicër (FIDS), ndërsa ishte edhe autoriteti më i lartë teologjik i Bashkimit të Organizatave Islamike në Zürich (VIOZ).Pas publikimit të hulumtimit, FIDS e largoi menjëherë nga detyrat, ndërsa vetë Aliu dha dorëheqje nga të gjitha pozitat brenda VIOZ-it.

Sipas gazetës zvicerane, ndër qëndrimet kontroverse të imamit ishte edhe një postim i vitit 2017, në të cilin ai e kishte cilësuar paradën “Pride” në Prishtinë si “paradë të turpit”.Pas publikimit të këtyre deklaratave, organizatat FIDS dhe VIOZ u distancuan nga qëndrimet e tij, duke theksuar se deklaratat homofobe dhe ato që cenojnë dinjitetin njerëzor janë në kundërshtim me parimet e tyre dhe ligjin zviceran.

Hulumtimi zbuloi gjithashtu pjesëmarrjen e Aliut në një konferencë në Doha të Katarit, në janar të vitit 2024, ku ishte mbajtur Asambleja e Përgjithshme e Bashkimit Ndërkombëtar të Dijetarëve Muslimanë, organizatë e lidhur ngushtë me Vëllezërit Muslimanë.Në të njëjtën veprimtari kishte mbajtur fjalim edhe lideri i atëhershëm i Hamasit, Ismail Hanije, i cili u vra më vonë në Teheran.

Drejtuesit e FIDS-it deklaruan se nuk kishin pasur dijeni për pjesëmarrjen e Aliut në këtë konferencë. Ndërkaq, VIOZ bëri të ditur se ai nuk kishte udhëtuar në emër të organizatës dhe se rasti po verifikohet më tej.

artikuj të ndërlidhura