Demo me homologun italian Piantedosi: Më pak burokraci për shqiptarët në Itali

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Brendshme Ervin Demo zhvilloi një takim në Romë, me homologun e tij italian Matteo Piantedosi.

Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, thuhet se në fokus të bisedimeve, ishin tri çështje kryesore, si zhvillimi i Akademisë së Sigurisë sipas përvojës italiane, përfundimi i marrëveshjeve në fushën e sigurisë dhe njohja automatike në Itali e certifikatave të lindjes të lëshuara përmes e-Albania.

Një vëmendje të veçantë mori e ardhmja e Akademisë së Sigurisë, me synimin që organizimi dhe formimi profesional i punonjësve të Policisë të mbështeten në përvojën italiane.

Sipas njoftimit, bashkëpunimi me institucionet homologe italiane synon përmirësimin e programeve të studimit, forcimin e përgatitjes praktike dhe shkëmbimin e ekspertizës. Në këtë kuadër, u diskutua edhe programi vjetor i trajnimeve, për t’i pajisur punonjësit e Policisë me aftësitë e nevojshme për hetimin, parandalimin e krimit dhe shërbimin ndaj qytetarëve.

Dy ministrat diskutuan gjithashtu marrëveshjet në fushën e sigurisë, të cilat janë në fazën përfundimtare dhe do të firmosen mes dy vendeve. Këto marrëveshje synojnë të forcojnë më tej bashkëpunimin shqiptaro-italian dhe koordinimin mes strukturave përgjegjëse për sigurinë.

Ministri Demo trajtoi edhe çështjen e njohjes automatike së certifikatave të lindjes, nga autoritetet italiane, lëshuar nga gjendja civile shqiptare, në formën që shkarkohen e printohen nga e-Albania.

Pjesë e bisedimeve ishte edhe intensifikimi i bashkëpunimit policor, përmes shkëmbimit të informacionit në kohë reale, zgjerimit të skuadrave të përbashkëta hetimore dhe koordinimit për identifikimin e kapjen e personave në kërkim. Këto mekanizma synojnë reagim më të shpejtë dhe goditje më efektive ndaj veprimtarisë kriminale në të dy vendet.

Takimi në Romë konfirmoi vullnetin e përbashkët për ta çuar bashkëpunimin shqiptaro-italian në një nivel të ri, duke e shndërruar përvojën dhe mbështetjen italiane në rezultate konkrete për forcimin e institucioneve, luftën kundër krimit dhe, mbi të gjitha, rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e shërbimeve për qytetarët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër