Mickoski: Pjesa praktike e provimit të jurisprudencës do të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 nëntor, Zhurnal.mk – Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski sqaroi se zgjidhja e propozuar për dhënien e provimit të jurisprudencës parashikon dy pjesë, ku pjesa teorike do të mund të jepet në shqip, turqisht ose anglisht, ndërsa pjesa praktike do të jetë ekskluzivisht në maqedonisht dhe çirilik.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, Mickoski theksoi se nuk ka provim jurisprudence që jepet tërësisht në gjuhën shqipe.

Sipas propozimit të dërguar Komisionit të Venedikut, pjesa e parë mbulon pyetje teorike nga studimet universitare, dhe kandidatët që kanë përfunduar arsimin e lartë në një gjuhë tjetër përveç maqedonishtes do të jenë në gjendje të zgjedhin në cilën nga këto gjuhë do ta japin këtë pjesë.

Pjesa e dytë mbulon një simulim të dy gjykimeve gjyqësore – penale dhe civile, dhe do të jepet në maqedonisht dhe çirilik. Mickoski shpjegoi se kjo zgjidhje bazohet në interpretimin e Komisionit të Venedikut të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe në parimin se sistemi gjyqësor funksionon në një gjuhë të përbashkët zyrtare.

Mikoski foili edhe për ndryshimet e propozuara në Kodin Penal ku tha se do të zgjasin periudhën e vjetërsimit apo parashkrimit të veprave penale dhe nuk do të kenë efekt prapaveprues.

Mickoski tha se me propozimin e dorëzuar në Komisionin Evropian i jepet fund dëmit që shkaktoi Qeveria e kaluar që sipas kreu të ekzekutivit tentoi t’i hap rrugën një amnistie me qëllim realizimin e ndryshimeve kushtetuese.

“Këto ndryshime janë për tani e tutje. Nuk mund të vlejnë për të kaluarën. Gjithmonë kur do të dëgjoni nga BDI-ja dhe LSDM-ja se janë për luftë kundër krimit dhe korrupsionit, janë pikërisht ata që i dhanë goditjen sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Kur në flasim për sundim të ligjit, dijeni se ishim ne ata që i dërguam në Bruksel këto dy ligje që do të vlejnë për këtë Qeveri”, deklaroi Hristijan Mickoski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër