Kryeministri kinez Li Qiang u shpreh të premten që ai pret të zhvillojë shkëmbime të thelluara mendimesh me udhëheqësit tajlandezë për forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm strategjik Kinë-Tajlandë dhe arritjen e përparimeve të mëtejshme konkrete në ndërtimin e një bashkësie me të ardhme të përbashkët mes dy vendeve.
Li i bëri këto deklarata pas mbërritjes në Bangkok për një vizitë zyrtare në Tajlandë, me ftesë të kryeministrit tajlandez Anutin Charnvirakul.
Kryeministri kinez theksoi që Kina dhe Tajlanda janë vende të afërta gjeografikisht e të lidhura ngushtë nga ana kulturore, ndërsa miqësia mes dy popujve ka një histori të gjatë.
Li kujtoi se vitin e kaluar Kina e Tajlanda organizuan së bashku aktivitete madhështore për të shënuar 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe 50 vitet e arta të miqësisë mes dy vendeve.
Ai shtoi që mbreti i Tajlandës, Maha Vajiralongkorn Phra Vajiraklaochaoyuhua, zhvilloi një vizitë shtetërore në Kinë, gjatë së cilës u takua me presidentin kinez Xi Jinping, duke i çuar marrëdhëniet dypalëshe në një pikënisje të re historike.
Kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul e priti Li Qiang-un në aeroportin “Suvarnabhumi”.

