Shkup, 14 nëntor, Zhurnal.mk – Banorët e lagjes Kamenik në Komunën e Kisella Vodës do të marrin sistem për furnizim me ujë të pijshëm, përmes një projekti të përbashkët mes Komunës dhe Qeverisë, përcjell Zhurnal.mk.
Këtë e bëri të ditur kryeministri Hristijan Mickoski, i cili theksoi se projekti është i rëndësishëm për këtë pjesë të komunës, pasi do të zgjidhë problemin e mungesës së ujit të pijshëm.
“Siç njoftova dje, ngadalë, projekt pas projekti do t’i përfundojmë, por projekt pas projekti do t’i fillojmë edhe ato që ende nuk kanë nisur. Siç tha edhe kryetarja e komunës, bëhet fjalë për një projekt ku kemi bashkëpunim të qartë mes Qeverisë dhe komunës”, tha Mickoski.
Sipas tij, projekti do të mundësojë që përfundimisht të zgjidhet problemi i furnizimit me ujë të pijshëm në këtë pjesë të Komunës së Kisella Vodës.
“I gjithë projekti është shumë i rëndësishëm për këtë pjesë të Komunës së Kisella Vodës, sepse ajo që ka munguar deri tani është uji i pijshëm. Më në fund ky problem do të zgjidhet”, deklaroi kryeministri.
Mickoski paralajmëroi se pas përfundimit të punimeve për instalimin nëntokësor, hapi i radhës do të jetë asfaltimi i rrugës.
“Pasi të përfundojë kjo instalim nëntokësor, hapi i radhës është që edhe rrugën ta kalojmë me asfalt të ri”, tha ai.
Kryeministri theksoi se projektet, sipas tij, po realizohen në mënyrë të planifikuar dhe sistematike, duke u bazuar në nevojat e qytetarëve.
“Po punohet në mënyrë të planifikuar, po punohet në mënyrë sistematike, nevojat janë të qarta, ndërsa ne si Qeveri kemi për detyrë dhe synim që t’u përgjigjemi këtyre nevojave në përputhje me mundësitë tona dhe shpresoj se deri tani këtë po e bëjmë”, tha Mickoski.
Ai shprehu mirënjohje për kryetaren e Komunës së Kisella Vodës, këshilltarët komunalë, deputetët në Kuvend, kolegët nga Qeveria dhe Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për mbështetjen e projektit.
“Ky është një projekt i përbashkët dhe është mirë që kjo sinergji funksionon edhe në terren dhe realizohen projekte të tilla”, theksoi Mickoski.
Ai shtoi se Qeveria do të vazhdojë edhe në të ardhmen me realizimin e projekteve që, sipas tij, u përgjigjen nevojave të qytetarëve.

