Një rast shqetësues është raportuar në Shkup. Sipas denoncimit të nënës, vajza e saj 12-vjeçare ishte mbyllur në një veturë kundër vullnetit të saj nga një i mitur.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 13 nëntor, në orën 01:00, nëna denoncoi se vajza e saj ishte larguar nga shtëpia një ditë më parë, rreth orës 18:00, dhe nuk ishte kthyer.
Më vonë, ajo e njoftoi përsëri policinë se vajza ishte kthyer në shtëpi në orën 07:40 të mëngjesit.
Sipas denoncimit, 12-vjeçarja dhe një shoqe e saj e mitur paraprakisht ishin takuar me disa të mitur në parkun e Sarajit.
Në një moment, njëri prej tyre dyshohet se e kishte mbyllur vajzën në një veturë, kundër vullnetit të saj. Ai kishte qëndruar në veturë bashkë me të dhe shoqen e saj deri të nesërmen në mëngjes.
Rasti është denoncuar në polici. Nga MPB-ja njoftojnë se po ndërmerren masa për të përcaktuar të gjitha rrethanat dhe për ta zbardhur ngjarjen.
Deri tani, MPB-ja nuk ka bërë të ditur nëse është privuar ndonjë person nga liria dhe as nuk ka dhënë hollësi të tjera për ngjarjet gjatë natës.

