Nikolloski: Do të rindërtohet rruga rajonale Strumicë-Vallandovë

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 nëntor, Zhurnal.mk – Me mbështetje të kombinuar qeveritare në infrastrukturë, bujqësi dhe turizëm, po mundësojmë zhvillimin e Komunës së Vallandovës. Kemi paraparë mbështetje financiare prej rreth 100 milionë denarësh, prej të cilave 65 milionë denarë janë drejtpërdrejt nga buxheti i Ministrisë së Transportit, ndërsa rreth 35 milionë denarë përmes dy thirrjeve për projekte infrastrukturore, theksoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, gjatë vizitës së sotme në Komunën e Vallandovës.

“Vetëm përmes këtyre 65 milionë denarëve nga Ministria e Transportit po realizojmë një projekt vërtet të madh, që është asfaltimi i rrugëve, edhe atë në fshatin Sobri në gjatësi prej 650 metrash, në fshatin Piravë prej 580 metrash, në fshatin Brajkovcë prej 774 metrash, në fshatin Rabrovë në gjatësi prej 1.230 metrash dhe në fshatin Marvincë, ku ndodhemi tani, në gjatësi prej 1.560 metrash. Kjo duhet të kontribuojë seriozisht në përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e të gjitha këtyre vendbanimeve.

Por gjithashtu, duke pasur parasysh se këto vendbanime ndodhen pranë Korridorit 10, që është autostrada më e frekuentuar dhe ekonomikisht më e rëndësishme, kjo do të nënkuptojë edhe mundësi për shfrytëzimin e potencialit turistik të këtyre zonave. Kemi biseduar tashmë me kryetarin e komunës për prezantim më të madh të Isar Marvincit të njohur, i cili mund të bëhet një atraksion serioz turistik. Prandaj do të punojmë edhe në atë drejtim, me qëllim rritjen e numrit të turistëve që vijnë këtu. Nëse kësaj i shtohen edhe masat për mbështetjen e bujqësisë që po i zbaton Qeveria, përmes një mbështetjeje të kombinuar për zhvillimin e infrastrukturës dhe bujqësisë, mendoj se mund të bëjmë shumë në periudhën e ardhshme.

Edhe kryetari i komunës, edhe deputetja po bëjnë një punë të shkëlqyer, duke dhënë angazhim dhe përkushtim të madh personal në detyrat e tyre. Prandaj Komuna e Vallandovës edhe në vitet që vijnë do të vazhdojë ta ketë mbështetjen e Qeverisë dhe ne do të vazhdojmë të investojmë së bashku dhe të realizojmë projekte edhe më të mira”, deklaroi zëvendëskryeministri Nikolloski.

Ai paralajmëroi edhe rindërtimin e rrugës rajonale nga Vallandova në Strumicë përmes Kodrës së Vallandovës.

“Duke pasur parasysh se rruga ekzistuese është në gjendje të keqe, ekipet e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore kanë bërë inspektimin e terrenit, kanë analizuar gjendjen dhe kemi përgatitur projektin. Pres që në një afat shumë të shkurtër të shpallet thirrja nga NP për Rrugët Shtetërore, me të cilën do të përzgjidhet kontraktori që do të realizojë rindërtimin e plotë të kësaj rruge. Pra, planifikojmë rindërtimin e plotë të rrugës që lidh Strumicën me Vallandovën”, shtoi zëvendëskryeministri Nikolloski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër