Shkup, 24 nëntor, Zhurnal.mk – Profesionalizmi nuk është ajo që shkruan në vendimin tonë të punës. Profesionalizmi është ajo që qytetari e merr kur hyn në institucion. Këtë e theksoi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, në trajnimet e sotme gjenerike për nëpunësit administrativë në Ohër, duke nënvizuar se thelbi i reformës së administratës publike nuk është vetëm në ndryshimin e ligjeve, por në ndryshimin konkret që qytetarët do ta ndiejnë përmes shërbimeve më cilësore, efikasitetit më të madh dhe institucioneve të përgjegjshme.
Ministri potencoi se shteti nuk mund të jetë i fortë pa njerëz profesionalë dhe kompetentë në institucione, për shkak të së cilës Ministria investon në avancimin e vazhdueshëm të njohurive dhe aftësive të nëpunësve administrativë. Trajnimet janë të fokusuara në tri fusha kyçe: mentorimin, aftësitë komunikuese, barazinë dhe mosdiskriminimin, me theks të veçantë në zbatimin e tyre praktik në punën e përditshme dhe në raportin me qytetarët.
“Qëllimi ynë janë institucione që nuk do të jenë pengesë për qytetarët, por mbështetja e tyre. Institucione që nuk do t’ua harxhojnë kohën qytetarëve, por do ta respektojnë atë”, porositi Minçevi, duke theksuar se zhvillimi profesional duhet të bëhet proces i përhershëm dhe sistematik, i qasshëm për çdo nëpunës administrativ, pavarësisht institucionit dhe vendit ku punon.
Në këtë drejtim, Ministria po punon intensivisht për themelimin e Akademisë për Përparim Profesional dhe Trajnim të Nëpunësve Administrativë, e cila do të fillojë punën në fillim të vitit 2027. Akademia do të paraqesë një model të ri institucional për mësim të vazhdueshëm, zhvillim të kompetencave dhe avancim të standardeve profesionale.
Minçevi u ndal edhe te ndryshimet më të gjera sistemore që po i zbaton Ministria, ndër të cilat edhe korniza e re ligjore për nëpunësit administrativë dhe Ligji për Drejtuesit e Lartë, me të cilët vendosen kritere më të qarta për profesionalizëm, përzgjedhje, vlerësim dhe përgjegjësi. Ai potencoi se pozitat drejtuese duhet të bartin përgjegjësi për rezultatet, ndërsa kontributi profesional, kompetenca dhe integriteti duhet të jenë masa e vërtetë për avancim dhe vlerësim në institucione.
“Shteti nuk është i fortë kur ka një numër të madh institucionesh, por kur institucionet kanë kapacitet t’u shërbejnë qytetarëve”, theksoi ministri, duke nënvizuar se reforma e administratës publike është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve dhe nëpunësve administrativë.
Ministria e Administratës Publike mbetet e përkushtuar në krijimin e kushteve në të cilat dijenia, profesionalizmi dhe integriteti profesional do të jenë vlera më e madhe e çdo institucioni. Përmes mbështetjes së vazhdueshme, mundësive të reja për mësim dhe investimit në kapacitetet njerëzore, Ministria dëshmon se cilësia e administratës publike fillon nga njerëzit dhe vërtetohet përmes punës, qasjes dhe përgjegjësisë së tyre ndaj qytetarëve.

