Tiranë, 24 nëntor, Zhurnal.mk – Presidenti Bajram Begaj priti sot në një takim kryetarin e Parlamentit të Moldavisë, Igor Grosu, në kuadër të vizitës së tij të parë zyrtare në Shqipëri.
Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet e mira politike ndërmjet dy vendeve dhe theksoi rëndësinë e intensifikimit të vizitave të nivelit të lartë dhe të diplomacisë parlamentare për forcimin e bashkëpunimit dypalësh.
Kreu i Shtetit riafirmoi mbështetjen e Shqipërisë për integrimin evropian të Moldavisë, duke përgëzuar përparimin e arritur në negociatat me Bashkimin Evropian dhe shprehur gatishmërinë për të ndarë përvojën shqiptare në procesin e anëtarësimit.
Gjatë takimit u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, si ekonomia, tregtia, turizmi, energjia dhe teknologjia e informacionit.
Presidenti Begaj nënvizoi se forcimi i kontakteve institucionale dhe shkëmbimeve të nivelit të lartë do të kontribuojë në shndërrimin e marrëdhënieve të mira politike në bashkëpunim konkret, në të mirë të të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre.
