Tiranë, 26 nëntor, Zhurnal.mk – Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Joni Keta, dhe Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit (DPAK), Skerdi Tushi, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për identifikimin e praktikave korruptive dhe referimin e rasteve të dyshuara pranë Prokurorisë së Posaçme.
Marrëveshja, e lidhur në kuadër të Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030, formalizon mekanizmat e shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit ndërinstitucional, duke mundësuar referimin në kohë të rasteve kur verifikimet administrative evidentojnë indicie për vepra penale në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme.
“Ky bashkëpunim adreson gjithashtu rekomandimet e Komisionit Evropian për forcimin e koordinimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për parandalimin e korrupsionit dhe organeve ligjzbatuese”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Një hap konkret drejt konsolidimit të një qasjeje të integruar në luftën kundër korrupsionit, ku parandalimi, identifikimi dhe ndjekja penale ndërlidhen përmes mekanizmave efektivë të bashkëpunimit, duke respektuar kompetencat dhe pavarësinë funksionale të secilit.
