Tiranë, 26 nëntor, Zhurnal.mk – Partia Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e ndarjes së re administrative-territoriale, që uli numrin e bashkive nga 61 në 46 bashki.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi theksoi se PD “ka evidentuar qartë shkeljet kushtetuese që mazhoranca ka kryer në miratimin e ligjit të ri për ndarjen e reformës administrativo-territoriale”.
Sipas tij “është evidentuar se miratimi i ligjit është bërë pa patur shumicën e cilësuar të kërkuar nga Kushtetuta, për shkak të pavlefshmërisë së tre votave të dhëna gjatë seancës plenare”.
Së dyti, Bardhi theksoi se “është evidentuar qartësisht se nuk ka patur asnjë konsultim paraprak me qytetarët, të cilët masivisht e kishin kundërshtuar ligjin e ri për ndarjen administrativo-territoriale. Kjo ka sjellë cenim të autonomisë vendore dhe siç shprehen autoritetet lokale të Këshillit të Evropës, ka cënuar Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore dhe konkretisht nenin 5 të saj”.
Bardhi shtoi se së fundmi “kemi evidentuar se ky ligj i ri, i miratuar vetëm me votat e mazhorancës, pra sipas vullnetit të Edi Ramës, ka cenuar sigurinë juridike”.
Ai nënvizoi se “për shkak të urgjencës që paraqet kjo çështje, i kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese së pari pezullimin e këtij ligji dhe së dyti shqyrtimin e tij me përparësi, për shkak se Presidenti i Republikës, edhe ai në mënyrë të njëanshme, ka dekretuar zgjedhjet e reja vendore për në 9 maj të vitit 2027”.
“Ne kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese të respektojë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ne kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese t’i bindet vullnetit të qytetarëve dhe vullnetit të autoriteteve lokale të 15 bashkive”, tha ai.
