Tabaku: Procesi i integrimit europian nuk duhet të përdoret si fasadë qeverisëse

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 26 nëntor, Zhurnal.mk – Bashkëkryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Jorida Tabaku, paraqiti sot qëndrimin e saj mbi ecurinë e procesit të negociatave me Bashkimin Europian, duke ngritur shqetësime lidhur me funksionimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe përmbushjen në praktikë të standardeve të anëtarësimit.

Gjatë takimit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, me temë “Gjendja aktuale e procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, ku ishte e pranishme edhe Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, Tabaku theksoi se, pavarësisht progresit në hapjen e kapitujve të negociatave, në vend ka një dobësim të standardeve demokratike dhe të mekanizmave të kontrollit institucional.

Tabaku u ndal edhe tek vendimi i shumicës socialiste për shkrirjen e Komisionit të Integrimit Europian si komision më vete dhe ndryshimin e drejtimit të Këshillit, duke vënë në dukje se këto vendime kanë kufizuar rolin e parlamentit në mbikëqyrjen e procesit të integrimit.

Në fjalën e saj, ajo u ndal te shqetësimet e ngritura nga Komisioni Europian lidhur me kontrollin parlamentar, pavarësinë e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe politizimin e institucioneve të pavarura.

“Menjëherë pas zgjedhjeve, në kulmin e negociatave, shumica socialiste mori dy vendime, eliminoi Komisionin e Integrimit Europian si komision më vete dhe ndryshoi në mënyrë të njëanshme drejtimin e këtij Këshilli, duke zhbërë një traditë pozitive. Në parlament po flitet gjithmonë e më pak për integrimin, qeveria po jep gjithmonë e më pak llogari. Opozita përballet me rezistencën e shumicës, qoftë edhe për të organizuar një debat parlamentar për çështje të integrimit. Gjatë këtyre 15 muajve janë hapur të gjithë kapitujt, janë përcaktuar kushtet edhe për mbylljen e tyre. Komisioni Europian ka ngritur shqetësim edhe për funksionimin e parlamentit, por edhe për drejtësinë dhe për korrupsionin e nivelit të lartë.

“Ndërkohë që në Bruksel, po kudo tjetër, po flitet njëkohësisht edhe për pastrimin e parave të drogës në ndërtim, por dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë. Është kërkuar njëkohësisht ndryshimi i ligjit të zonave të mbrojtura dhe ligjit për investime strategjike. Për asnjërën prej këtyre çështjeve ky parlament nuk ka diskutuar”, tha ajo.

Më tej, Tabaku tha se praktikat e dhënies së kontratave dhe sektorëve ekonomikë pa konkurrencë janë cenim i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe të konkurrencës së lirë.

“Ne jemi angazhuar që duhet të garantojmë konkurrencën e lirë dhe duhet të respektojmë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që është e shenjtë, është gur themeli për shtetin shqiptar. Por në parlament janë duke u diskutuar dhe miratuar ligje që japin pa garë sektorë të tërë të ekonomisë: prodhimi i armëve, shëndetësia, teknologjia e informacionit. Këto ligje e cënojnë MSA-në, përqendrojnë fondet publike në pak duar dhe përjashtojnë nga konkurrenca edhe kapitalin europian që ne e duam kaq shumë këtu në Shqipëri”, tha ajo.

Duke iu drejtuar Komisioneres Kos, Tabaku theksoi se integrimi europian duhet të matet me zbatimin real të standardeve dhe jo vetëm me miratimin formal të ligjeve apo mbylljen e kapitujve.

“Partia Demokratike ka dëshmuar me fakte se anëtarësimi në BE është një prioritet i panegociueshëm për ne. Objektivi ynë nuk është mbyllja e kapitujve në letër, nuk është as vetëm miratimi i ligjeve, por është anëtarësimi. Janë standartet europiane, janë institucionet e forta, janë zbatimi i ligjit. Për ne, në momentin e vendimmarrjes, vendet anëtare nuk do gjykojnë mbi Shqipërinë e konferencave për shtyp, po do gjykojnë mbi Shqipërinë reale. Shqiptarët kanë nevojë për Bashkimin Europian sepse duan patjetër që t’i garantohen standartet e anëtarësimit dhe mos të legjitimohet as fasada e qeverisjes. Prandaj shqetësimi ynë, por edhe shqetësimi i një pjese dërrmuese të shqiptarëve sot është se procesi i integrimit nuk mund dhe nuk duhet të përdoret për fasadë”, tha ajo.

Tabaku nënvizoi se Shqipëria ka nevojë për institucione të forta, barazi para ligjit, luftë kundër korrupsionit dhe një proces reformash gjithëpërfshirës, që përfshin të gjithë shoqërinë.

“Ne kërkojmë sot që shteti të mos përdoret si makinë elektorale, ku fondet e pasuritë publike të mos shpërndahen pa garë, po t’i jepen më të mirit. Ne jemi të bindur se këto standarde nuk mund të përmbushen me këtë mënyrë qeverisje, por kjo është detyra jonë e do punojmë çdo ditë”, tha Tabaku.

Tabaku theksoi se Partia Demokratike e konsideron anëtarësimin në Bashkimin Europian një prioritet të panegociueshëm, duke kërkuar që procesi i integrimit të mos përdoret si fasadë, por të shërbejë si një instrument real për forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe standardeve europiane në Shqipëri.

“Vetëm kështu mund të ndërtojmë një Shqipëri që gjen pranim të plotë në BE, vetëm kështu mund ta ndërtojmë Europën këtu”, përfundoi Tabaku.

artikuj të ndërlidhura