Tiranë, 26 nëntor, Zhurnal.mk – Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, akuzoi sot opozitën në Kuvend për nxitjen e dhunës gjatë protestave, përfshirjen e të miturve në tubime dhe përhapjen e pretendimeve të pavërteta lidhur me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Gjatë fjalës së saj në seancën parlamentare, Ismaili deklaroi se dhuna nuk mund të justifikohet dhe as të trajtohet me standarde të dyfishta, duke e cilësuar atë si të pranishme si në sheshe, ashtu edhe në rrjetet sociale.
“Dhuna ka vetëm një perceptim, ka vetëm një emër, që është dhunë. Nuk mundet dot që të justifikohet dhuna as në sheshe, as online”, u shpreh ministrja.
Duke iu referuar të miturve të lënduar gjatë protestave, Ismaili kritikoi opozitën për përfshirjen e emrave të tyre në debatet parlamentare, duke kërkuar më shumë përgjegjësi nga organizatorët e tubimeve.
“Po si mundet dot të vini me krenari këtu të lexoni një listë të tërë emrash minorenësh? Pak njerëzillëk nuk e keni?”, deklaroi ajo. Ministrja ngriti gjithashtu shqetësimin për pengimin e studentëve që kanë zgjedhur të vijojnë procesin mësimor gjatë protestave, duke theksuar se Policia e Shtetit duhet të garantojë rendin dhe sigurinë në institucionet arsimore.
“Ku është parë që huliganë protestues të shkojnë dhe të nxjerrin me dhunë studentë nga auditoret vetëm sepse nuk e pranokan dot që studenti shkon në universitet për të mësuar?”, tha Ismaili.
Në vijim, ajo iu referua projektbuxhetit të vitit 2027, duke e cilësuar atë si historik, me vlerë 10 miliardë euro. Ismaili evidentoi mbështetjen financiare për studentët, veçanërisht për ata që vijnë nga familje në nevojë, duke bërë të ditur se nga viti i ardhshëm ndihma mujore për këtë kategori do të rritet nga 10 mijë në 25 mijë lekë. Sa i përket integrimit europian, ministrja hodhi poshtë pretendimet e opozitës për bllokimin e negociatave, duke iu referuar katër kapitujve të mbyllur dhe paralajmëruar përparim të mëtejshëm deri më 15 dhjetor.
“Po si mundet të flisni ju për bllokim të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, kur deri në 15 dhjetor ne do të mbyllim disa kapituj të tjerë që nuk janë as një, as dy, as tre, por më shumë?”, deklaroi Ismaili. Në përfundim të fjalës së saj, ministrja përdori tone të ashpra ndaj opozitës, duke e lidhur sjelljen e saj politike me humbjen e zgjedhjeve dhe përpjekjet për rikthimin në pushtet.
“Në grahmën e fundit është një opozitë e cila ka humbur zgjedhje të lira e të ndershme dhe që për karriget e veta të munguara është gati të nxjerrë si mish për top edhe të miturit”, përfundoi Ismaili.
