Shkup, 26 nëntor Zhurnal.mk – Policët në Maqedoninë e Veriut deri në mesin e vitit 2027 do të pajisen me kamera trupore, ndërsa viktimat e dhunës në familje do të mund të raportojnë rastet përmes videolidhjes me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Qendrën për Menaxhimin e Krizave (QMK). Këto dy projekte i paralajmëroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Sipas tij, kamerat trupore do të transmetojnë drejtpërdrejt pamjet në qendrat komanduese, do të mundësojnë përkthim në më shumë se 40 gjuhë dhe do të përdorin inteligjencën artificiale për identifikimin e fakteve të caktuara.
Projekti tashmë po testohet në Veles, ndërsa deri në mesin e vitit 2027 pritet të zbatohet në të gjithë vendin. Toshkovski paralajmëroi pasoja për policët që nuk do t’i përdorin kamerat gjatë intervenimeve.
Ndërkaq, viktimat e dhunës në familje, derisa presin ardhjen e policisë, do të mund të realizojnë videotelefonatë përmes celularit dhe të dokumentojnë gjendjen në vendngjarje. Pamjet e regjistruara, sipas ministrit, do të mund të përdoren si dëshmi në procedurat penale.
Toshkovski i cilësoi këto projekte si ndryshime të rëndësishme për rritjen e profesionalizmit dhe efikasitetit të institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës.
