Kriva Pallankë, 27 nëntor Zhurnal.mk – Bagëtitë e konfiskuara në territorin e Komunës së Kriva Pallankës, në fazën fillestare, do të vendosen në institucionet ndëshkuese-korrektuese të Idrizovës dhe Prilepit. Kjo parashihet në planin aksional për largimin e bagëtive në Kriva Pallankë, i miratuar në seancën e fundit të Qeverisë.
Zbatimi operacional i planit ka nisur sot, ndërsa në mbledhjen e Shtabit Koordinues janë përcaktuar aktivitetet konkrete dhe detyrimet e institucioneve të përfshira në këtë proces.
“Me vendosjen e këtij mekanizmi të koordinimit institucional, krijojmë parakushtet operative për tejkalimin sistematik dhe të përhershëm të problemit me të cilin përballen banorët e Kriva Pallankës. Prioritet është mbrojtja e qytetarëve, pronës së tyre dhe prodhimit bujqësor, përmes zbatimit efikas të zgjidhjeve ligjore, duke respektuar njëkohësisht standardet për mbrojtjen shëndetësore dhe mirëqenien e kafshëve. Është thelbësore që çdo institucion të realizojë me përgjegjësi dhe efikasitet pjesën e tij të obligimeve të marra”, deklaroi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski.
Si hap i radhës është paraparë evidentimi i lokacioneve ku ndodhen bagëtitë, me qëllim përcaktimin e numrit të tyre, përhapjes dhe qasjes në terren.
Në fazën fillestare është paraparë që kafshët t’u dorëzohen institucioneve ndëshkuese-korrektuese të Idrizovës dhe Prilepit. Gjithashtu, është shqyrtuar mundësia që gjatë procesit, në përputhje me dispozitat ligjore, një pjesë e bagëtive t’u jepet shoqatave të blegtorëve dhe blegtorëve të rinj.
Në zbatimin e Planit Aksional për trajtimin e problemit me bagëtitë në Kriva Pallankë janë përfshirë shtatë institucione shtetërore, përkatësisht dy ministri, dy agjenci, një drejtori, një qendër dhe një byro.
Bëhet fjalë për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari, Agjencinë për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar, Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Qendrën për Menaxhimin e Krizave dhe Byronë për Vlerësim.
