Përzgjedhësi i Kosovës Franco Foda thotë se nuk i ka dërguar ftesë yllit të Augsburgut Arijon Ibrahimovic, por mbetet në kontakte me të.
Ibrahimovic mori ftesë nga Gjermania U21, ndërsa ende duket se nuk e ka pranuar ta përfaqësojë Kosovën në nivelin ndërkombëtar.
Foda në konferencë për media nënvizoi se nuk ka dërguar ftesë zyrtare për lojtarin.
“Jo, Arijoni nuk ka marrë ftesë nga ana ime, por jam në kontakt që thuajse një vit me të dhe herë pas here shkëmbëjmë mesazhe. Të shohim se si do të shkojë situata”.
I pyetur për objektivat e ardhshëm, Foda shtoi se Kosova është gati për t’u përmirësuar edhe më shumë.
“Futbolli nuk shkon me të kalurën, por jetojmë në të tashmën. Tash duhet ta dëshmojmë nga e para sërish. Futbollistët të jenë të gatshëm qysh të enjten”.
“Unë pres që lojtarët të jenë të urritur për fitore dhe është me rëndësi që rezultatet në të kaluarën të mos ndalen, por të vazhdojmë. Është e vërtetë që kemi tre kundërshtarë shumë të fortë, si Austrinë, Irlandën dhe Izraelin. Do të provojmë të gjejmë një ekip të mirë, të bashkuar që dëshiron të luajë futboll të mirë”.
“Pas gjashtë ndeshjeve, do t’i mbledhim pikët dhe të shohim se ku jemi”.
