A po afrohet zgjidhja/ Bullgaria nuk do të ketë të drejtë vetoje në anëtarësimin gradual në BE

Nga Xh M
783 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 23 shkurt – Bullgaria nuk do të mund ta përdorë të drejtën e vetos nëse Maqedonia, së bashku me Ukrainën, Malin e Zi dhe Shqipërinë, pranon planin e ri të BE-së për zgjerim përmes anëtarësimit asociativ, pra gradual. Megjithatë, përveç dy kushteve që kërkon Brukseli – politikë e jashtme e përbashkët me Bashkimin Evropian dhe reforma në sundimin e ligjit – për Maqedoninë do të mbetet edhe një kusht shtesë: ndryshimet kushtetuese, tha kryeministri Mickoski për idenë më të re të Brukselit.

“Bullgaria nuk mund të vendosë veto, sepse atëherë edhe formal do të bëhemi anëtare e BE-së, do të jemi në tavolinë dhe flamuri i shtetit do të valojë në Bruksel, nëse ky proces operacionalizohet… Supozoj se do të vlejë edhe kushti i tretë, ai që pranoi qeveria e kaluar – ndryshimi i Kushtetutës… Nuk do të kemi të drejtë vote, as komisar, por do të mund të marrim pjesë në punën e Këshillit Evropian dhe institucioneve në Bruksel.”

Mickoski tha se ekzistojnë dy opsione: e para është që plani të realizohet me Ukrainën plus tre shtetet e Ballkanit Perëndimor, dhe e dyta është që ai të zgjerohet edhe për Moldavinë.

Ai më parë, në një panel diskutimi mbi integrimin evropian, kishte thënë se Maqedonia është viktimë e një presioni klasik nga shtetet anëtare të BE-së që e kishin shantazhuar integrimin e saj dhe se për vendin nuk kishte vlejtur sistemi i meritës. Por, përveç fqinjëve, sipas kryeministrit, përgjegjësi për procesin ka edhe qeveria e mëparshme.

“Prandaj, për një popull dhe një komb nuk ka të keq më të madh se liderët e korruptuar të ashtuquajtur të atij kombi, njerëzit që janë ‘musa’ e kombit dhe që, për fat të keq, i kemi parë në vitet dhe dekadat e kaluara në skenën politike maqedonase. Dhe janë ata që na kanë çuar në këtë situatë ku ndodhemi sot – në vend që të negociojmë për vlera, për sundimin e ligjit dhe disa standarde të tjera, ne sot negociojmë për çështje bilaterale që nuk na çojnë askund… Prandaj duhet të mendojmë shumë mirë për atë që tani po propozohet për ‘liga e parë dhe e dyta’ të BE-së, pra integrimi gradual me mekanizma mbrojtës, dhe si rajon të vendosim se çfarë mendojmë dhe si do të veprojmë.”

Opozitari Filipche, nga ana tjetër, këtë e sheh si retorikë anti-BE dhe izolim të vendit.

“Mbi 70% e qytetarëve duan BE-në – dhe ai flet për ‘shantazh’ dhe ‘liga e parë dhe e dyta’. Kjo nuk është shantazh, është pasojë e moszbatimit të detyrimeve: drejtësi, liri mediatike, luftë kundër korrupsionit. VMRO çdo ditë krijon konflikte me fqinjët, dhe ndaj kritika nga Brukseli përgjigjet me sulme ndaj BE-së. Europa na dha një mundësi të qartë deri në 2027, së bashku me rajonin! Mali i Zi dhe Shqipëria po përparojnë. Ne? Vetëm nëse ndalojmë këtë politikë izolimi që po e shtyn me qëllim Mickoski. Mickoski dhe VMRO nuk duan BE-në – duan të vjedhin tenderë pa mbikëqyrje. Kjo nuk është vlerë evropiane. Kjo është vlerë kriminale. Shantazhi i vetëm ndaj popullit maqedonas vjen nga VMRO dhe Mickoski,” shkroi lideri i SDSM në Facebook.

Më parë, kryeministri shqiptar Rama kishte deklaruar disa herë se integrimi gradual është mënyrë e mirë dhe e pranueshme që Shqipëria të bëhet sa më shpejt anëtare e BE-së. Serbia, e cila gjithashtu është kandidate me negociata të hapura, ende nuk ka dhënë një qëndrim të qartë për këtë skenar. Presidenti i saj, Vucic, javën e kaluar komentoi se mbështet modele të anëtarësimit gradual, por Serbia nuk do të pranojë kushte që i sheh si kundër interesave kombëtare, veçanërisht për marrëdhëniet me Kosovën dhe për pajtueshmërinë me sanksionet ndaj Rusisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër