Në Abu-Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe u mbajt Dialogu Global “Kina në pranverë – Zhvillimi i Kinës sjell mundësi për botën”, i organizuar bashkërisht nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG), ambasada kineze në Emiratet e Bashkuara Arabe, konsullata e përgjithshme kineze në Dubai dhe instituti kërkimor “TRENDS Research & Advisory”. Të ftuar nga qarqet e biznesit, akademisë dhe medias të të dy vendeve morën pjesë në këtë aktivitet.
Në videofjalimin e tij, z. Shen Haixiong, drejtori i përgjithshëm i CMG-së, tha se CMG-ja është e gatshme të shfrytëzojë epërsitë e veta në platformat multimediale, risitë teknologjike dhe burimet mediatike për të bërë që bota e jashtme të përfitojë më shumë gjatë procesit të modernizimit të Kinës. “Le të bashkohemi për të promovuar paqen dhe zhvillimin botëror, duke kontribuuar në krijimin e një bashkësie me një të ardhme të përbashkët të njerëzimit”, tha Shen.

Ndërsa kryeekzekutivi i “TRENDS Research & Advisory” Mohammad Al-Ali u shpreh në fjalimin e rastit se vitet e fundit, arritjet e Kinës në zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë shoqërore janë të spikatura për të gjithë botën. Marrëdhëniet midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Kinës kanë qenë gjithmonë e bazuar në respektin e ndërsjellë dhe përfitimet e përbashkëta, vuri në dukje ai, duke shprehur shpresën që të dyja palët do të thellojnë bashkëpunimin në fusha si ekonomia digjitale, inteligjenca artificiale dhe energjia e gjelbër, do të mbrojnë së bashku sistemin tregtar shumëpalësh dhe do të promovojnë përmirësimin e vazhdueshëm të sistemit të qeverisjes globale, për të ruajtur së bashku paqen, qëndrueshmërinë dhe lulëzimin e bashkësisë ndërkombëtare.
