Shkup, 28 shtator, Zhurnal.mk – Një këmbësor i mitur është goditur dje pasdite nga një automjet në një rrugë të Shkupit.
Sipas informacioneve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:00 në rrugën “Slavej Planina”, ku një automjet “Audi” me targa të Shkupit, i drejtuar nga 25-vjeçari B.S., ka goditur një këmbësor të mitur nga Shkupi.
Si pasojë e aksidentit, i mituri ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe me automjet të Ndihmës së Shpejtë është dërguar në Qendrën Urgjente “Nënë Tereza” për trajtim mjekësor.
Për rastin është njoftuar prokurori publik. Me urdhër të tij, automjeti është konfiskuar për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale sipas nenit 297-a.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj shoferit do të parashtrohet kallëzim përkatës.
