Rënia e eksporteve drejt Serbisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa importet rriten më 2025, po e kthen tregtinë rajonale nga një burim suficiti në një presion të ri mbi ekonominë shqiptare. Në dy vjet, Shqipëria ka humbur rreth 12 miliardë lekë suficit vetëm me Kosovën dhe mbi 5 miliardë lekë eksporte me Serbinë, ndërsa importet nga rajoni po rriten me ritme 5 – 20% në vit. Nga një suficit prej 12.8 miliardë lekësh në vitin 2024, bilanci tregtar me rajonin ra në vetëm 3.3 miliardë në 2025, ndërsa eksportet u tkurrën me 7% dhe importet u rritën me gati 8%.

Shqipëria po humbet gradualisht pozicionin e saj në tregtinë me vendet e rajonit (Kosovë, Maqedoni e Veriut, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mali i Zi), teksa të dhënat për vitin 2025 tregojnë përkeqësim të ndjeshëm të bilancit tregtar, të nxitur kryesisht nga rënia e eksporteve dhe rritja e importeve.
Produktet shqiptare po bëhen jokonkurruese me vendet e Ballkanit, por edhe më gjerë si rrjedhojë e rënies së vlerës së euros, rritjes së kostove të brendshme dhe mungesës së politikave fiskale që nxisin prodhimin me kosto të ulët.
Eksportet shqiptare drejt rajonit në vitin 2025 ranë në 62.7 miliardë lekë, nga 67.5 miliardë lekë në vitin 2024, duke shënuar tkurrje vjetore me rreth 7%. Në të njëjtën kohë, importet u rritën në 59.4 miliardë lekë, nga 54.7 miliardë lekë një vit më parë, ose gati 8% më shumë, sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT.
Këto zhvillime kanë përkeqësuar ndjeshëm bilancin tregtar. Në vitin 2024, Shqipëria kishte një suficit prej 12.8 miliardë lekësh në tregtinë me rajonin, ndërsa në vitin 2025 ai u ngushtua në vetëm 3.3 miliardë lekë, një përkeqësim prej afro 9.5 miliardë lekësh brenda një viti, me tkurrje rreth 280%. Vendi ynë humbi avantazhin që kishte ndërtuar gjatë viteve të fundit në tregjet fqinje.
Të dhënat tregojnë se problemi nuk qëndron vetëm te rritja e importeve, por sidomos te dobësimi i eksporteve, të cilat kishin arritur kulmin në vitin 2023 me mbi 79 miliardë lekë, por prej atëherë janë në rënie të vazhdueshme. Brenda dy vitesh, eksportet drejt rajonit kanë humbur më shumë se 16 miliardë lekë në vlerë.
Kjo prirje sugjeron se prodhuesit shqiptarë po humbin terren në tregjet e rajonit, përballë konkurrencës më të fortë nga vendet fqinje, kostove më të larta të prodhimit dhe një strukture eksporti ende të varur nga produkte me vlerë të ulët të shtuar.
Nëse kjo tendencë vazhdon, tregtia me rajonin, e cila tradicionalisht ka qenë një nga pikat më të forta të eksporteve shqiptare, rrezikon të kthehet në një tjetër kanal presioni mbi bilancin tregtar të vendit. Në kushtet kur edhe tregjet e BE-së po shfaqin ngadalësim, humbja e terrenit në rajon e bën edhe më të brishtë pozicionin e jashtëm të ekonomisë shqiptare