BSH: 483.4 miliardë lekë qarkullojnë jashtë sistemit bankar

Nga admin
344 e lexuar

Rritja e parasë që qarkullon jashtë sistemit bankar është një nga zhvillimet më shqetësuese të ekonomisë shqiptare. Në fund të vitit 2025, paraja jashtë bankave arriti në 483.4 miliardë lekë, nga 423.5 miliardë një vit më parë, një rritje vjetore prej mbi 14.2%. Vetëm në dy vite, nga dhjetori 2023 në dhjetor 2025, kjo shumë është rritur me gati 90 miliardë lekë, duke treguar një prirje të qëndrueshme për mbajtjen e parasë në cash.

Banka e Shqipërisë po nxit rritjen e pagesave me kartë dhe transaksioneve elektronike, por paraja jashtë bankave mbetet e lartë. Ekspertët paralajmërojnë se ky trend është një rrezik real për stabilitetin financiar, formalizimin e ekonomisë dhe luftën kundër evazionit.

“Edhe pse pagesat me kartë po rriten, fakti që paraja jashtë bankave vijon të shtohet tregon se një pjesë e konsiderueshme e ekonomisë mbetet jashtë sistemit formal. Ky fenomen shoqërohet me rreziqe që lidhen me sigurinë, koston e mbajtjes së parasë jashtë sistemit dhe mungesë planifikimi në kryerjen e shpenzimeve”, thotë Romina Radonshiqi, eksperte ekonomie.

Një ndër shkaqet kryesore lidhet me besimin ende të brishtë te sistemi financiar, por edhe me kulturën e dobët financiare të qytetarëve.

“Pa një edukim më të fortë financiar, pa nxitje konkrete për përdorimin e bankave dhe pa kufizime më të qarta për transaksionet në cash, ky fenomen do të vazhdojë”, shton ekspertja.

Autoritetet financiare kanë theksuar nevojën për politika që nxisin më tej digjitalizimin e pagesave, rrisin besimin te bankat dhe luftojnë ekonominë informale.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër