Prishtinë, 21 shtator, Zhurnal.mk – Aleanca ka shprehur mbështetjen për iniciativën ligjore të Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
PDK-ja ka dorëzuar sot në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në një njoftim, Aleanca ka deklaruar se, në përputhje me qëndrimin e saj institucional, mbështet çdo iniciativë ligjore dhe demokratike që, sipas saj, synon vendosjen e drejtësisë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Duke besuar thellë se lufta e popullit të Kosovës për liri, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte e drejtë, e pastër dhe e pashmangshme, qëndrojmë fuqishëm në bindjet tona dhe besojmë se në fund të këtij procesi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, do të dalin të pafajshëm”, thuhet në deklaratën e Aleancës.
Aleanca ka theksuar se Kosova dhe institucionet e saj duhet të bëjnë gjithçka që, sipas saj, procesi të përfundojë me drejtësi të plotë.
Ndërkaq, PDK-ja ka bërë të ditur se përmes projektligjit synon ndryshimin e kornizës ligjore mbi të cilën funksionojnë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Sipas PDK-së, nisma mbështetet në Kushtetutën e Kosovës, Amendamentin nr. 24, marrëveshjet përkatëse ndërkombëtare dhe Aktgjykimin KO26/15 të Gjykatës Kushtetuese.
PDK ka deklaruar se do të vazhdojë të ndjekë rrugët demokratike, institucionale dhe ligjore për të kundërshtuar atë që e konsideron padrejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe për të kërkuar respektimin e standardeve të drejtësisë në fazat e mëtejshme të procesit.
