Tiranë, 18 maj Zhurnal.mk – Avokatja dhe kandidatja për kreun e PD-së, Alesia Balliu, u ka dërguar një email dy figurave me peshë në politikën europiane dhe ndërkombëtare: David McAllister dhe Tina Mercep.
Mësohet se në komunikimin e saj, Balliu ka ngritur shqetësime serioze mbi situatën e brendshme në Partinë Demokratike, duke pretenduar se formacioni politik është “marrë peng” nga Sali Berisha dhe rrethi i tij politik.
Mësohet se Balliu ka argumentuar se një forcë politike që aspiron të rikthehet në pushtet dhe të përfaqësojë standardet europiane, nuk mund të drejtohet nga një person i shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe. Ajo ka kërkuar vëmendjen e partnerëve ndërkombëtarë për atë që e konsideron si degradim të standardeve demokratike brenda PD-së.
Burimet bëjnë me dije se kandidatja për kreun e PD-së ka denoncuar edhe përdorimin e partisë, sipas saj, në funksion të betejave personale të Berishës kundër SPAK-ut, ndërsa ka ngritur pretendime për një klimë kontrolli, presioni dhe përjashtimi ndaj zërave kritikë në parti.
Në emailin drejtuar zyrtarëve ndërkombëtarë, Balliu ka përmendur edhe pretendime për individë pranë Berishës, të cilët sipas saj po përfitojnë politikisht dhe ekonomikisht në kurriz të demokratëve dhe frymës opozitare.
