Shkup, 17 qershor Zhurnal.mk – Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës së partisë në Karposh, ku ka vlerësuar organizimin dhe përkushtimin e anëtarësisë ndaj vlerave mbi të cilat, sipas tij, është ndërtuar rrugëtimi politik i Bashkimit Demokratik për Integrim.
Në fjalimin e tij, Ahmeti u ndal te historia dhe sfidat me të cilat janë përballur shqiptarët e Karposhit ndër vite, duke kujtuar periudhat kur ata ishin të ekspozuar ndaj padrejtësive, presioneve dhe përpjekjeve për margjinalizim.
“Karposhi mban në kujtesën e tij kohë jo të lehta, kur shqiptari përballej me padrejtësi, me frikë dhe me përpjekje të vazhdueshme për t’u margjinalizuar. Por asnjëherë nuk u dorëzua. Përkundrazi, nga ato sfida lindi vendosmëria për të qëndruar dhe për të mbrojtur dinjitetin”, tha Ahmeti.
Lideri i BDI-së theksoi se të arriturat e shqiptarëve nuk kanë ardhur rastësisht, por janë rezultat i sakrificës së gjeneratave të tëra.
“Asgjë nuk na është dhuruar. Çdo e drejtë, çdo avancim dhe çdo sukses mban vulën e sakrificës së brezave të tërë. Në këtë rrugëtim, BDI ka qenë organizimi politik që ka artikuluar, mbrojtur dhe avancuar kërkesat legjitime të shqiptarëve”, deklaroi ai.
Ahmeti bëri thirrje për ruajtjen e unitetit dhe vazhdimin e angazhimit politik me vizion e përgjegjësi, duke theksuar se Karposhi mbetet një dëshmi e qëndresës dhe e aftësisë së shqiptarëve për të ndërtuar të ardhmen e tyre me dinjitet.
Sipas tij, përgjegjësia e brezit të sotëm është të ruajë trashëgiminë politike dhe kombëtare, duke vazhduar rrugën përpara me besim dhe përkushtim.
