Shkup, 16 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes.
Në reagimin e tij, Ahmeti ka bërë thirrje për maturi dhe unitet, duke theksuar se nuk duhet rënë në gracka që synojnë krijimin e tensioneve, përçarjeve apo njollosjen e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
“UÇK‑ja lindi si përgjigje ndaj shtypjes dhe luftoi për lirinë e Kosovës. Pretendimet e dikurshme për trafikim organesh nuk u shndërruan në akuza në këtë proces. Po ashtu, sot Gjykata i shpalli të pafajshëm të akuzuarit për krime kundër njerëzimit dhe potencoi se UÇK kishte pasur objektiv pavarësinë e Kosovës, objektiv ky që edhe u arrit. Këto janë fakte që duhet të kujtohen sa herë që dikush përpiqet ta paraqesë UÇK‑në si ndërmarrje kriminale”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka rikujtuar se aktakuza i ngarkonte ish‑drejtuesit e UÇK‑së me përgjegjësi për një sërë krimesh të pretenduara gjatë viteve 1998‑1999, duke shprehur besimin se edhe këto akuza do të rrëzohen në procesin e mëtejshëm gjyqësor në Gjykatën e Apelit.
“Procesi nuk përfundon këtu. Besojmë se mbrojtja do ta vazhdojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar gjetjet e shkallës së parë dhe duke kërkuar drejtësi deri në fund. Lufta e UÇK‑së ishte luftë për liri. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe sakrifica e një populli të tërë nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve”, ka përfunduar Ahmeti.
