Ambasadori italian: Kërkesë legjitime e studentëve për provimin në shqip

Nga B.M
417 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 8 prill, Zhurnal.mk – Ambasadori i Italisë në Maqedoninë e Veriut, Paolo Palminteri, në një deklaratë për gazetën KOHA, kërkesën e studentëve shqiptarë për ta zhvilluar provimin e Jurisprudencës në gjuhën në të cilën kanë ndjekur studimet, konkretisht në gjuhën shqipe, e ka cilësuar si legjitime. Diplomati italian thekson se, ndonëse nuk ka kompetencë për të dhënë vlerësime teknike mbi legjislacionin vendor, konsideron se kërkesa e studentëve është e arsyeshme dhe e justifikuar.

“Edhe pse nuk disponoj kompetencat e nevojshme për të dhënë një vlerësim teknik mbi këtë çështje në bazë të legjislacionit maqedonas, konsideroj se kërkesa e studentëve për ta zhvilluar provimin profesional në të njëjtën gjuhë në të cilën kanë ndjekur studimet është plotësisht legjitime. Gjuha juridike përbën një fushë tejet teknike dhe komplekse, ndaj zhvillimi i një provimi në një gjuhë tjetër nga ajo e përdorur gjatë viteve të studimit do të paraqiste një vështirësi të konsiderueshme. Protestat e tyre paqësore meritojnë vëmendje, respekt dhe vlerësim për kontributin që japin në jetën civile dhe politike të vendit”, vlerëson ambasadori Palminteri.

Ai ka përshëndetur edhe deklaratën e kryeministrit Mickoski se do të gjendet një zgjidhje e shpejtë për kërkesën e studentëve. “Ndërkohë, është bërë e ditur se Kryeministri ka deklaruar se do të gjendet një zgjidhje për këtë çështje, çka përbën një sinjal pozitiv dhe inkurajues. Vlerësohet angazhimi i tij për të gjetur një zgjidhje sa më të mirë dhe të qëndrueshme për situatën”.

Po ashtu, thotë ambasadori i Italisë në Shkup, mbetet bindja se integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut do të japë një shtysë të rëndësishme pozitive, duke kontribuar në një zgjidhje konstruktive dhe në përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve, gjithmonë në respekt të të drejtave të të gjithëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër