Shkup, 3 nëntor, Zhurnal.mk – Tetori është muaji më i suksesshëm deri më tani sa i përket përdorimit të platformës së interoperabilitetit. Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, kumtoi sot se janë realizuar rekord 20 milionë transaksione.
“Për krahasim, kjo do të thotë se realizohen pothuajse 650.000 transaksione në ditë, ndërsa në vitin 2024 ka pasur afërsisht 700.000 transaksione në muaj. Kjo do të thotë se sot arrijmë numrin e transaksioneve që më parë realizoheshin për një muaj të tërë. Kjo rritje reflektohet edhe në përdorimin e portalit të shërbimeve. Në portalin e e-shërbimeve janë regjistruar 30.040 shërbime, që është një rekord i ri pas 29 mijë shërbimeve të regjistruara në shtator. Në këto 30 mijë transaksione, kryesojnë shërbimet e disponueshme përmes aplikacionit mobil m.Uslugi”, deklaroi Andonovski para edicionit të 9-të të Konferencës Rajonale për Tregti Elektronike, e cila po mbahet në Shkup.
“Kjo është vetëm fillimi. Që në momentin e lansimit kam thënë se bëhet fjalë për një fillim të ri të marrëdhënies ndërmjet shtetit dhe qytetarit. Më gëzon fakti që më shumë se 30.000 bashkëqytetarë tanë tashmë e kanë njohur aplikacionin dhe janë përdorues të tij. Kjo reflektohet edhe në rritjen e përdorimit të portalit. Pres që në periudhën e ardhshme, me futjen e shërbimeve të reja dhe pranimin më të gjerë të aplikacionit, ai të zërë një vend të rëndësishëm në raportin ndërmjet shtetit dhe qytetarit”, theksoi Andonovski.
Lidhur me vizitën në Bon, ku ishte së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski, ministri deklaroi sot se pjesa më e madhe e bisedimeve i janë kushtuar transformimit digjital dhe se kanë pasur mundësi të njihen me përvojat e “Deutsche Telekom”, veçanërisht në fushën e sigurisë kibernetike.
“Ata disponojnë me një qendër për siguri kibernetike, e cila u shërben kompanive brenda grupacionit, por edhe klientëve të tjerë në Evropë dhe në botë. Po bëjmë përpjekje për të tërhequr investime të tilla edhe në Maqedoni. E dini se shteti ka pjesëmarrje në ‘Makedonski Telekom’, ndërsa qëllimi është të shohim se si këto investime dhe njohuri mund t’i transferojmë edhe tek ne. Dëshirojmë të krijojmë kompani të reja që do të merren me sigurinë kibernetike dhe t’i ndihmojmë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, përfshirë edhe pjesëmarrësit e kësaj konference, që t’i forcojnë kapacitetet e tyre në procesin e transformimit digjital dhe të jenë të sigurt e të mbrojtur”, deklaroi Andonovski.
