ASH e Selës: Mickoski po synon të zhbëjë të drejtat e shqiptarëve, e ardhmja do të jetë si e kaluara jonë

Nga B.M
1,135 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 08 maj, Zhurnal.mk – Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Ziadin Sela ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski, duke e akuzuar atë se synon të zhbëjë të drejtat e fituara të shqiptarëve në vend.

Në një komunikatë, partia e Selës vlerëson se e kaluara politike e Ziadin Selës është e lidhur ngushtë me, siç thuhet, “rrëzimin e regjimeve, avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe perspektivën euro-atlantike të shtetit”, duke shtuar se kjo mbetet edhe vizioni për të ardhmen.

Sipas Aleancës për Shqiptarët, Mickoski “pranoi” se mekanizmat si Badenteri, gjuha shqipe dhe të drejtat e tjera të shqiptarëve i konsideron pjesë të së kaluarës, ndërsa akuzohet se po punon që ato të mos ekzistojnë në të ardhmen.

“Mickoski e pranoi sot se Badenteri, Gjuha Shqipe dhe të drejtat e tjera të shqiptarëve i takojnë të kaluarës dhe se sot e për të ardhmen ai punon të mos ekzistojnë”, thuhet në reagimin e partisë.

ASH thekson se periudha kur u miratua Ligji për Gjuhën Shqipe, kur sipas tyre respektohej mekanizmi i Badenterit dhe kur Gjykata Kushtetuese nuk prekte çështjet që lidhen me gjuhën shqipe, përfaqësohet politikisht nga Ziadin Sela.

Nga kjo parti shprehen krenarë për arritjet që i atribuojnë periudhës së tyre politike, duke përmendur Ligjin për Gjuhën Shqipe, Ligjin për Shtetësi, zgjedhjen e kryeparlamentarit të parë shqiptar dhe anëtarësimin e vendit në NATO.

“Ndihemi krenarë për të kaluarën tonë me suksese dhe arritje për shqiptarët dhe ua bëjmë me dije se edhe e ardhmja do të jetë e tillë. Ziadin Sela është këtu dhe do të jetë edhe më i fuqishëm bashkë me shqiptarët”, thuhet më tej në komunikatë.

Në fund, Aleanca për Shqiptarët krahason situatën aktuale politike me periudhën e mëparshme të qeverisjes së Nikola Gruevski, duke rikujtuar se, sipas tyre, edhe atëherë kishte pretendime se opozita “i takonte së kaluarës”, por më pas “regjimi ra dhe diktatori u arratis”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër