Shkup, 22 qershor, Zhurnal.mk – Kur Ali Ahmeti vendosi të dërgojë letra në Uashington, Londër, Berlin, Paris, Romë, Bruksel dhe në selinë e NATO-s, mesazhi ishte i qartë: alarmi për Marrëveshjen e Ohrit dhe statusin e gjuhës shqipe duhej të dëgjohej në qendrat më të rëndësishme të vendimmarrjes botërore. Por, pas më shumë se dy muajsh, përgjigje për këtë letër nuk ka ende, shkruan “Zhurnal.mk”.
Letra të hapura drejt qendrave botërore
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, ka përcjellë letrën e tij të hapur për opinionin vendor dhë ndërkombëtar të datës 3 prill 2026, edhe miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të akredituar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe liderëve botërorë dhe personaliteteve të shquara ndërkombëtare.
Letra e Ahmetit mes tjerash i dedikohet edhe presidentit amerikan Donald Trump, por e ka adresuar edhe tek liderët tjerë botëror si: Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, Presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron, Kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Friedrich Merz, Kryeministrja e Republikës së Italisë, Giorgia Meloni dhe Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Ë. Bush.
Në hyrje, Ahmeti thekson përkushtimin e vazhdueshëm të BDI-së ndaj zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, ndërtimit të një shteti demokratik dhe multietnik, si dhe integrimit euroatlantik të vendit. Ai shpreh shqetësimin për zhvillimet e fundit politike që prekin këto arritje, përfshirë heqjen e mekanizmit të balancuesit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të komuniteteve, sfidat në funksionimin e institucioneve që zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe iniciativat për minimin dhe kontestimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese.
Përmes kësaj letre, Ahmeti kërkon angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë për ruajtjen e arritjeve të Marrëveshjes së Ohrit, forcimin e stabilitetit dhe avancimin e perspektivës euroatlantike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sa serioz merret një letër nga Ahmeti!
Në diplomaci, për të shkruar një letër dhe për të kërkuar përgjegjësi, ndihmë e mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë, duhet fillimisht të kthesh gishtin nga vetvetja e të shohësh se a i ke kryer me dinjitet dhe besueshmëri obligimet që i ke marrë nga këta partner ndërkombëtarë. Thënë shkurt, nëse kërkon ndihmë për Marrëveshjen e Ohrit nga garantuesit e saj, vetë BDI duhet ta vendosë gishtin në kokë e të japë përgjigjen e drejtë, se a i ka dal zot Marrëveshjes së Ohrit për 22 vite pushtet!
Marrëveshja e Ohrit u arrit me gjakun e derdhur të ish luftëtarëve të UÇK-së dhe ajo ishte Marrëveshja kompromisi për qetësi dhe ndaljen e eskalimit të një konflikti më të gjërë.
BDI, e cila u fut në pushtet në vitin 2002 dhe e kishte ende forcën e triumfalizmit të luftës, ajo duhej që Marrëveshjen e Ohrit ta kompletojë brenda vitit 2004. Në fakt, kjo nuk ndodhi kurrë dhe për mbi 20 vite pushtet, BDI nuk e kompletoi këtë Marrëveshje ashtu siç ishte paraparë.
Ende ka mungesë të një ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Edhe pse përfaqësimi i shqiptarëve nëpër institucione u rrit, megjithatë nuk u krijua kurrë një kornizë e qëndrueshme ligjore për ta mbrojtur këtë parim pa pasur nevojë për mekanizma manipulues.
Gjithashtu në shumë komuna ku shqiptarët janë minoritet ose kalojnë pragun prej 20%, gjuha shqipe, tabelat dygjuhëshe dhe përkthimet simultane nuk u jetësuan plotësisht në praktikë.
Ndërkaq, decentralizimi fiskal dhe administrativ i komunave mbeti i paplotësuar, duke lënë shumë pushtete lokale pa pavarësi të plotë financiare.
E mbi të gjitha ende nuk u zgjidh statusi i veteranëve të UÇK-së, familjeve të dëshmorëve, ngjashëm siç e kanë edhe “branitellat” e palës maqedonase.
Fatkeqësisht, çdo zgjidhje që e parashikonte Marrëveshja e Ohrit u la e mangët e gjysmake, dhe pasojat sot e kësaj dite, 25 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, mbeten evidente dhe temë diskutimi të çdo qeverisje.
Andaj, partnerët ndërkombëtarë vështirë se do ta marrin për serioze një letër të tillë nga dikush që ka qenë përgjegjës për këtë situatë të krijuar ndër vite, shkruan “Zhurnal.mk”.
Ku ateroi letra e Ali Ahmetit?
A mbërriti në tavolinat e liderëve botërorë? A u lexua nga këshilltarët e tyre? A u arkivua në ndonjë sirtar diplomatik? Apo humbi në korridoret e gjata të burokracisë ndërkombëtare?
Deri më sot, BDI nuk ka publikuar asnjë përgjigje zyrtare nga adresat ku i dërgoi letrat. As nga Uashingtoni, as nga Brukseli, as nga kryeqendrat evropiane. Heshtja ka mbetur reagimi i vetëm publik.
Në politikë, një letër është si një avion i nisur drejt një destinacioni të largët. Ndonjëherë ateron në pistën e duhur dhe prodhon efekt. Ndonjëherë detyrohet të bëjë ulje emergjente. E ndonjëherë mbetet duke fluturuar pa marrë kurrë leje për ulje.
Për momentin, letra e Ali Ahmetit duket se ndodhet pikërisht në këtë hapësirë të paqartë mes nisjes dhe mbërritjes. U nis me shumë bujë, por ende nuk dihet nëse ka gjetur adresën politike ku pritej të dëgjohej.
Sepse në diplomaci, si në aviacion, nuk mjafton vetëm ngritja në fluturim. Rëndësi ka edhe aterimi. Dhe deri tani, askush nuk e di me siguri se ku ateroi letra e Ali Ahmetit?, shkruan “Zhurnal.mk”.
