A ka krizë financiare edhe pas rebalancit të buxhetit?

Nga I.A
1,337 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 qershor, Zhurnal.mk – Vitin e kaluar kur u miratua buxheti për këtë viti u tha që po fillojmë vitin me minus 637 milionë euro. Kjo u pa si një sinajl që viti 2026 do të jetë vit i përballjes me krizë të thellë ekonomike. Por, Qeveria e RMV-së me propozimin e Ministrisë së Financave, dje i miratoi ndryshimet dhe plotësimet e buxhetit për vitin 2026, me të cilat bëhet harmonizimi i projeksioneve buxhetore me zhvillimet aktuale ekonomike dhe sigurohen mjete shtesë për realizimin e prioriteteve zhvillimore të shtetit, shkruan Zhurnal.

Si nisi viti 2026 në aspektin ekonomik?

Propozim-buxheti për vitin 2026-të u miratua nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 28 tetor, 2025. Ky plan u propozua nga ministrja e financave, Gordana Dimitrieska – Koçoska.

“Të ardhurat e përgjithshme janë projektuar të jenë 374.7 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet e përgjithshme janë 413.9 miliardë denarë. Me këtë, vazhdojmë me zbatimin rigoroz të disiplinës fiskale, ku rritja është më e theksuar në anën e të ardhurave sesa në atë të shpenzimeve. Në këtë mënyrë, deficiti buxhetor është 39.2 miliardë denarë, përkatësisht 3.5 të PBB-së, që paraqet ulje për 0.5 pikë përqindje krahasuar me vitin 2025”, pati deklaruar ministrja Gordana Dimirieska – Koçoska.

Te investimet kapitale, u paralajmëruan investim në vlerë prej 40.5 miliardë denarë.

Ndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 10 dhjetor të vitit 2024, me 69 vota “për” dhe 5 “kundër” e miratoi Buxhetin për vitin 2025, në të cilin të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivelin 358.8  miliardë, ndërsa shpenzimet në nivel prej 400.2 miliardë denarë.

Deficiti buxhetor është projektuar në vlerë absolute prej 41.350 milionë denarë apo rreth 637 milionë euro, gjegjësisht në 4 përqind të BPV-së, ndërsa rritja e planifikuar e ekonomisë është 3,7 për qind.

Si u gjind shteti në mes të vitit?

Qeveria e RMV-së me propozimin e Ministrisë së Financave, dje i miratoi ndryshimet dhe plotësimet e buxhetit për vitin 2026, me të cilat bëhet harmonizimi i projeksioneve buxhetore me zhvillimet aktuale ekonomike dhe sigurohen mjete shtesë për realizimin e prioriteteve zhvillimore të shtetit.

Siç deklaroi në konferencën për shtyp në Qeveri, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, rebalanci është përgatitur në kushte të pasigurisë së madhe ekonomike dhe gjeopolitike globale, të shkaktuar nga rritja e çmimeve të emergjencave, zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe konfliktet në rajone të caktuara. Pavarësisht këtyre sfidave, ekonomia e vendit tregon rezistencë dhe ruan trende pozitive.

Siç theksoi ministrja, me rebalancin, të ardhurat e përgjithshme rishikohen në 379.2 miliardë denarë krahasuar me buxhetin fillestar për vitin 2026. Të ardhurat tatimore mbeten pothuajse në nivelin e planifikuar fillestar dhe projektohen në 213.2 miliardë denarë.

“Me anë të rebalancit sigurojmë stabilitet të financave publike, por njëkohësisht krijojmë hapësirë për më shumë investime, aktivitet më të madh ekonomik dhe shërbime më cilësore për qytetarët. Edhe në kushte të pasigurisë globale, mbetemi të përkushtuar ndaj menaxhimit të përgjegjshëm të mjeteve publike dhe mbështetjes së zhvillimit”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.

Derisa deficiti buxhetor dhe detyrimet për shlyerjen e borxhit, në vlerë të përgjithshme prej 76.4 miliardë denarësh, do të financohen përmes kombinimit të huamarrjes së brendshme dhe të jashtme. Nga kjo vlerë, mbi 54 miliardë denarë janë të destinuara për servisimin e rregullt të detyrimeve ndaj kreditorëve të huaj, ndërsa rreth 20 miliardë denarë për shlyerjen e borxhit të brendshëm.

Çfarë do të thotë kjo, kemi situatë stabile ekonomike apo jo?

Pavarësisht rebalancit të buxhetit dhe përpjekjeve për harmonizim me zhvillimet aktuale, realiteti financiar për qytetarët mbetet i ndjeshëm. Marrja e borxheve të reja qoftë të brendshme apo të jashtme nënkupton se një pjesë e madhe e të ardhurave publike do të shkojë për shlyerjen e detyrimeve ndaj kreditorëve, në vend që të investohet drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të jetesës.

Kjo krijon presion mbi buxhetin familjar, sepse çdo rritje e shpenzimeve shtetërore për borxhin shpesh reflektohet në taksa, çmime më të larta ose kufizim të mbështetjes sociale. Për qytetarët, kjo përkthehet në pasiguri të përditshme a do të ketë stabilitet në çmimet e ushqimeve, a do të sigurohen pensione të qëndrueshme dhe a do të ketë hapësirë për rritje reale të pagave? Janë pyetjet që akoma mbesin pa përgjigje të qarta?

Në këtë kontekst, siguria ekonomike në RMV mbetet e brishtë. Edhe pse Qeveria thekson se ekonomia po ruan trende pozitive dhe se rebalanci synon të krijojë hapësirë për investime kapitale, varësia nga huamarrja dhe pasiguria globale e bëjnë të vështirë ndërtimin e një garancie afatgjatë për qytetarët. Çdo krizë e re energjetike, çdo lëvizje në tregjet ndërkombëtare apo tension gjeopolitik mund të përkthehet në rritje çmimesh dhe kufizim të mundësive për mirëqenie. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër