Antikorrupsioni hap front të ri ndaj Janushevit, nën verifikim pasuria dhe firma në Bullgari

Nga Xh M
2,007 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 qershor Zhurnal.mk – Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit do t’i shqyrtojë pretendimet e reja për sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, Igor Janushev, dhe lidhjen e tij të mundshme me një kompani të regjistruar në Bullgari.

Nga KSHPK konfirmojnë se gjendja pasurore e Janushevit tashmë po verifikohet në një lëndë të hapur në vitin 2024, ndërsa informacionet për kompaninë bullgare do t’i bashkëngjiten të njëjtës procedurë.

Opozitarja LSDM kërkoi verifikim nëse Janushev ka qenë i lidhur me kompaninë “Flugban trans” nga Kjustendili dhe nëse ndonjë pjesëmarrje apo interes afarist i mundshëm është deklaruar në fletëparaqitjen e tij për gjendjen pasurore dhe interesat.

Nga Komisioni Antikorrupsion theksojnë se kanë mundësi të kufizuara për verifikim të drejtpërdrejtë të pasurisë dhe strukturave pronësore jashtë vendit. Komisioni pritet të vendosë më tej se në çfarë mënyre do t’i sigurojë informacionet e nevojshme.

Lënda e mëparshme për Janushevin ishte hapur pas një kallëzimi nga Drejtoria për Inteligjencë Financiare. Në fokus ishte verifikimi i pasurisë së tij, përfshirë edhe banesën prej 165 metrash katrorë në Qendër, me vlerë të deklaruar rreth 325 mijë euro.

Janushev atëherë kishte sqaruar se banesën e kishte marrë si dhuratë nga prindërit dhe se në deklarimin fillestar të pasurisë, për shkak të një gabimi, ajo ishte shënuar si tokë ndërtimore, gjë që më vonë ishte korrigjuar.

VMRO-DPMNE i hodhi poshtë akuzat e reja të LSDM-së. Nga partia thanë se Janushev asnjëherë nuk ka aplikuar për shtetësi bullgare dhe se nuk ka realizuar të ardhura nga kompania në Bullgari.

KSHPK paralajmëron se pas përfundimit të verifikimit do ta informojë opinionin për faktet e konstatuara dhe për hapat e mundshëm të mëtejmë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër